Grabitja e bankës te Myslym Shyri, dosja në polici
Prokuroria i ka deleguar policisë hetimet për të gjetur autorët e grabitjes së filialit të BKT-së në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Pas muajsh hetime, organi i akuzës nuk ka mundur të gjejë grabitësit, ndërsa materiali voluminoz, ku janë administruar deklarime të personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe punonjësve të bankës, u është dërguar pak ditë më parë agjentëve të policisë. Burime pranë organit të akuzës thanë se këtyre të fundit u janë lënë disa detyra, me qëllim mbledhjen e informacioneve operative në terren dhe lokalizimin e më pas gjurmimin e autorëve të dyshuar.
Prokuroria dyshon se dy persona të maskuar dhe me armë grabitën filialin e bankës, nga ku morën një sasi prej rreth 70 milionë lekësh. Pas ngjarjes, policia vuri 1 milion lekë të reja shpërblim për informatorin që jep të dhëna të sakta mbi autorësinë e mundshme të personave që mund të kishin kryer këtë ngjarje. Rreth dy muaj pas ngjarjes, ende asnjë informacion nuk është servirur në prokurori dhe polici duke lënë në enigmë këtë grabitje me maska në mes ditës dhe në mes të Tiranës.
#