E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, dëshmitari: Fabrikën e caktoi ministria

Ylber Dogjani, ish-shefi i logjistikës te Komanda e Bashkuar: Urdhri 550 i ministrit, me mangësi ligjore

Fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec është ngritur me një urdhër të “paligjshëm” të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu ka deklaruar në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës ushtaraku Ylber Dogjani, ish-shefi i logjistikës te Komanda e Bashkuar, duke ripërsëritur disa herë se urdhri 550 i ministrit të mbrojtjes kishte mangësi ligjore me ligjet e urbanistikës. Ai tha se Komanda e Bashkuar nuk e kishte tagrin të jepte leje për ndërtimin e fabrikës, por t’i jepte në administrim firmës private vendin e caktuar nga urdhri. Për më shumë se dy orë, Dogjani iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, të pandehurve, avokatëve dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Tiranës, ndërsa në asnjë moment nuk ka përmendur emrin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Si një ushtarak, ai ka dhënë me detaje pjesët në të cilat i është dashur t’i sqarojë para një gjykate dhe disa herë i është përgjigjur të pandehurit Ylli Pinari, i cili ka ndërhyrë nga kafazi i hekurt, duke i bërë pyetje “thumbuese”.

Urdhri i “paligjshëm”

Katër ushtarakë kanë dëshmuar në seancën e djeshme gjyqësore duke dhënë versionin e tyre për ngritjen e fabrikës në Gërdecit. I pari që i është përgjigjur apelit të prokurorisë ka qenë Ylber Dogjani, ish-shefi i logjistikës në Komandën e Forcës së Bashkuar. Ai tha se Forca e Komandës së Bashkuar nuk kishte të drejtën apo tagrin të jepte leje për ndërtimin e fabrikës, ndërsa saktësoi se urdhri numër 550 i ministrit të Mbrojtjes përcaktoi sipërfaqen ku do të demontohej municioni nga një kompani private. Duke shpjeguar këtë urdhër, Dogjani shqiptoi se urdhri bie ndesh me ligjet e urbanistikës. Më pas theksoi se puna e sektorit ku punonte ishte dhënia e sipërfaqes menjëherë pas urdhrit, si dhe hartimin e kontratës. “Për sipërfaqen 200 metra katrorë nuk kemi bërë kërkesë për dhënien me qira të këtij terreni, por ky propozim na ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes. Ligjërisht ne duhej të bënim kërkesë për një sipërfaqe që na nevojitej për demontim dhe ministria na jepte ose jo konfirmimin”, tha Dogjani. Në këtë rast, sipas Dogjanit, Ministria e Mbrojtjes propozoi që një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë t’i jepej një firme private për demontim. Më tej u pyet nga të pandehurit dhe gjykata sërish rikonfirmoi se urdhri nr. 550 i ministrit të Mbrojtjes kishte probleme ligjore. “Në këtë urdhër thuhej se demontimi u takonte Forcave të Armatosura, ndërkohë që ne nuk jemi pjesë e Forcave të Armatosura, por forcë mbështetëse e saj. Duke parë këto probleme, në datë 2 ose 3 maj të vitit 2007 ne kemi përgatitur një shkresë, ku pasqyronim të gjitha problemet dhe ia kemi drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Mesa kam dijeni, asnjë nga këto dy institucione nuk na sollën përgjigje”, tha Dogjani. I pyetur nga prokurorët se kujt i takonte të jepte terrenin prej 200 metrash katrorë, dëshmitari tha se e kishte për detyrë Komanda e Forcës së Bashkuar, e cila kishte nën administrim repartin. “Në dy kontrata që Komanda e Forcës së Bashkuar kishte të depozituara, përcaktonin se Forcat Ajrore duhet të vinin në dispozicion sipërfaqen e sipërcituar. Në urdhër përcaktohej se kontrata do të lidhej me SAC, ndërkohë që pas ngjarjes mora vesh që është firmosur me “Albademil” dhe plotfuqinë ia ka dhënë SAC. Në datën 31 tetor 2007, me anë të një marrëveshje objekti në Gërdec ju dorëzua MEICO-s, e cila menjëherë pas kësaj marrëveshje kishte për detyrë të bënte ruajtjen, ndërkohë që për cilësinë e municioneve është marrë Shtabi i Përgjithshëm, duke zbatuar urdhrat e dala nga ministria e Mbrojtjes”, deklaroi Dogjani.

Gërdeci, i palicencuar

Punishtja e demontimit në Gërdec nuk ishte licencuar si një depo armatimi, megjithëse në të ndodheshin tonelata me municione të artilerisë së rëndë. Paulin Paluku, specialist municionesh që merrej me planëzimin dhe me licencimin e depove të municioneve, pohoi se Gërdeci ishte i palicencuar, pasi nuk përmbushte kushtet e sigurisë teknike. Me gjithë këto parregullsi demontimi dhe mbledhja e municioneve në atë fabrikë vazhdonte, duke u shndërruar një depo e madhe municionesh, e cila shpërtheu më 15 mars 2008, duke shkaktuar 26 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur. “Ne licencojmë vetëm repartet që kemi nën administrim dhe reparti i Gërdecit nuk ishte nën administrimin tonë”, tha Paluku. Dëshmitari i radhës ishte Bajrami Koçi, i cili pohoi se dorëzimi i terrenit të fabrikës së Gërdecit duhet të realizohej nga Komanda e Forcave Ajrore dhe jo nga Ministria e Mbrojtjes. Ai mohoi të jetë njohur ndonjëherë me kontratat e qiradhënies, të cilat ishin nënshkruar për objektin. Dëshmitari i fundit ishte Flamur Skraparliu, i cili ndryshe nga kolegët e tjerë shpjegoi që reparti i Gërdecit ishte një objekt në ruajtje me ndërtesa të vjetra, të cilat ishin gati të shkatërruara dhe se nuk ishte një objekt i një rëndësie të lartë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›