Bisedimet italo-shqiptare për energjinë bërthamore
Italia dhe Shqipëria pritet të nisin projektin e përbashkët për ndërtimin e një centrali bërthamor në vendin tonë. Ky qëndrim u konfirmua dje gjatë takimit mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Frattini. Sipas kryediplomatit italian, bisedimet me kreun e qeverisë shqiptare mbi këtë çështje ishin shumë të frytshme. “është shumë e frytshme biseda mbi perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore”, theksoi ministri italian pas takimit me Berishën. Nga ana e tij, kreu i qeverisë theksoi se tashmë Shqipëria po përgatitet për të nisur edhe ndërtimin e një vepre të tillë me potencial të lartë energjie. “Diskutuam me ministrin Frattini edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë nukleare. Dua të përshëndes takimin e fundit midis Kryeministrit italian, Silvio Berluscon-it, dhe Presidentit francez, Nikolas Sarkozy, për ridimensionimin e kësaj fushe të energjisë”, theksoi Kryeministri Berisha. Aktualisht, qeveria ka përgatitur edhe një pjesë të kuadrit ligjor për këtë çështje. Gjatë takimit me Frattini-n, Berisha theksoi gjithashtu se nga ana e ndërmarrjeve italiane, kanë nisur investimet në më shumë se 1600 megavat për energjinë eolike, të biomasës dhe hidrike. Po kështu, palët ranë dakord për të nxitur bashkëpunimin për Korridorin 8, që përbën një nga infrastrukturat më të mëdha transeuropiane dhe pikërisht për këtë qëllim do të zhvillohet së shpejti në Tiranë një takim mes ministrave përkatës.
#