Ambasadori i OSBE: Të mos përsëritet më Gërdeci në Shqipëri
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, dhe ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Ankjær Jensen, vizituan dje ish-uzinat me të mëdha ushtarake të kohës së komunizmit në rajonin e Elbasanit. Dy diplomatët, të shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe autoritetet më të larta lokale, inspektuan punën për demontimin e municioneve në uzinë e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit, si dhe në atë të çekinit në rrethin e Gramshit. Në takimin e zhvilluar me këtë rast, drejtori i uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës, Daniel Karanxha, falënderoi personalitetet e larta europiane dhe autoritetet shtetërore shqiptare për përurimin e linjës së demontimit të fishekëve 14.5 milimetër e predhave 160 milimetra, me donacionet e qeverise daneze. “Aleanca e Atlantikut Verior është për të rritur bashkëpunimin mes vendeve anëtare e për të mbrojtur njëri-tjetrin, pasi edhe vendi im ka një kujtim të hidhur nga lufta dhe me këtë rast falënderoj edhe OSBE-në, që na ka mbështetur për të kryer me sukses misionin e çarmatimit e demontimit në Shqipëri e vende të tjera”, tha ambasadori danez, Jensen, për t’i lënë fjalën më pas atij të OSBE-së, Bosch, i cili tha: “Nuk dua të kujtoj 15 marsin e vitit 2008 kur u vranë 26 veta, u plagosën qindra të tjerë dhe u shkaktuan miliona euro dëme.” Sipas tij, në Shqipëri duhet të punohet me përgjegjësi që nga instancat e larta të qeverisë dhe deri te punonjësit e thjeshtë të kësaj uzine, që të mos kemi më në këtë vend mik një Gërdec të dytë me pasoja katastrofike. “Ne jemi këtu për të dhënë ndihmën tonë, për të falënderuar të gjithë donatorët e huaj dhe në veçanti qeverinë daneze për ndihmat e mëdha financiare që kanë dhënë e japin për sigurinë e jetës së shtetasve shqiptarë nga armët e municionet”, shtoi ai. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjeti rastin të falënderojë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit për ndihmën e dhënë për demontimin e municioneve dhe armëve në Shqipëri. Dje u përuruan në Mjekës edhe dy sharrat elektrike dhe impiantet elektronike të kompjuterizuara, të cilat shërbejnë për një proces të plotë dhe të mbyllur demontimi të fishekëve me kalibër 14.5 mm dhe 160 mm. Në zbatim të të gjitha projekteve demontuese, me ndihëm e donatorëve të huaj, kjo uzinë ka demontuar në vitet 2001-2002 mbi 1 milion e gjysmë mina antinjeri. Ndërsa nga tetori i vitit 2003 deri në janar 2005, këtu janë demontuar rreth dy milionë granata. Në vitet 2005-2007 është punuar për demontimin e mbi 100 milionë fishekëve të kalibrave të ndryshëm, ndërsa sot kryhet demontimi i predhave të mortajave me peshë 57 kilogramë, projekt që do të zgjasë deri në vitin 2013. Më pas një inspektim është bërë edhe në uzinën e çekinit në Gramsh, në vendin ku prodhoheshin “Kallashnikovët” shqiptarë dhe sot kryhen demontime të armëve të kalibrave të ndryshëm.
#