E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noteria në duart e inspektorëve të ministrisë

Projektligji është kundërshtuar edhe nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve

“Shtimi pa kufi i numrit të noterëve nuk mund të konsiderohet liberalizim i këtij shërbimi. Mimoza Sadushaj, presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, në një intervistë për “Korrierin” ka shprehur të gjitha arsyet se përse projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë nuk mund të pranohet nga komuniteti i noterëve, e madje as nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, i cili është njohur me këtë draft. Sipas Sadushajt, me këtë ligj noteria lihet e gjitha në dorë të inspektorëve të ministrisë dhe të prokurorëve, ndërsa liberalizmi nuk duket askund, pasi nuk janë forcuar kriteret që duhet për t’u bërë noter”.

-A jeni njohur me projektligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë për Noterinë dhe si e vlerësoni atë?

“Hartimi i një ligji të ri për Noterinë është kërkuar nga ne, pasi ligji i mëparshëm kishte shumë gjëra që nuk i parashikonte. Në muajin prill u krijua një grup pune me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Noterëve, të Ministrisë së Drejtësisë dhe një ekspert nga OSBE-ja për hartimin e projektligjit. Pasi u përgatit një draft, ai u dorëzua në Ministrinë e Drejtësisë. Por projektligji që përgatitëm ne nuk u mor parasysh nga ministria dhe ata krijuan një grup pune tjetër vetëm me përfaqësues të kësaj ministrie, të cilët hartuan projektligjin që u paraqit në qeveri. Në fillim të gushtit, ministria na kërkoi që deri në datën 8 gusht ne të çonim mendimet tona. Brenda një afati më pak se 10 ditë ne çuam mendimet tona, duke kundërshtuar këtë projektligj në shumë pika dhe në shumë nene. Ky projektligj është kundërshtuar edhe nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, ku ne bëjmë pjesë. Ata kanë ardhur dy herë në Shqipëri për të dhënë edhe ata mendimet e tyre lidhur me projektligjin. Ofruan edhe ekspertë të tyre për të hartuar një ligj me parametra evropianë, gjë e cila nuk u mor parasysh”.

-Cilët janë kundërshtimet tuaja kryesore ndaj projektligjit të paraqitur?

“Janë një sërë pikash me të cilat ne nuk jemi dakord. Pika e parë ka të bëjë me parimin e liberalizimit, pra të një numri të pakufizuar noterësh. Jo sepse ne kërkojmë të mbetemi 500 noterë, por kemi kërkuar të bëhet një studim paraprak, për të parë sa është volumi i punës së noterëve, studim i cili duhet të ishte bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe pastaj të vendosej nëse duhet të bëhej liberalizimi ose jo. Pra, numri i noterëve duhet të përcaktohet në bazë të volumit të punës. Një pikë tjetër e kundërshtuar nga ana jonë ka të bëjë me faktin që noteria është lënë padrejtësisht në duart e prokurorëve dhe të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë. Pra, vetëm me fillimin e një çështjeje penale, noterit i hiqet deri në dy vjet licenca. Në projektligj nuk parashikohet kush do e dëmshpërblejë noterin kur del i pafajshëm. Një çështje tjetër e kontestuar nga ne ka të bëjë me masat administrative. Noterit i vihet gjobë nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë deri në 3 milionë lekë të reja. Ne kërkojmë që masat disiplinore të jenë më të specifikuara, sepse kur janë të fiksuara në ligj, nuk lënë shkak për abuzim qoftë nga noterët, qoftë nga inspektorët, qoftë nga prokurorët. Ne kërkonim që këto masa të specifikohen në ligj, ashtu siç janë të gjithë ligjet evropiane për Noterinë. Krijimi i një komisioni që të shqyrtojë masat disiplinore është një tjetër problem i projektligjit, pasi ky komision përbëhet nga tre përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy përfaqësues të Dhomës Kombëtare. Ne kemi kërkuar që as ministria dhe as dhoma mos kenë kompetenca të plota”.

-I cënon kompetencat tuaja ky projektligj?

“Me këtë projektligj, Dhoma Kombëtare e Noterëve del pa kompetenca, pasi të gjitha kompetencat i kalojnë Ministrisë së Drejtësisë. Parimi i liberalizimit bie në kundërshtim me shtimin e kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë. Kështu, në qoftë se një noter largohet shtatë ditë nga zyra e tij, duhet të njoftojë patjetër Ministrinë e Drejtësisë, në një kohë që ky noter është anëtar i një dhome. Ai kur largohet duhet të njoftojë dhomën, e cila merr masa për zëvendësimin e tij. Me këtë nuk ka pse të merret Ministria e Drejtësisë, pasi është Dhoma e Noterëve që do të zgjidhë këtë problem, dhe në të kundërt, për çfarë duhet të jetë dhoma? Transferimi i noterëve është një tjetër kompetencë që i hiqet Dhomës së Noterëve dhe i kalon Ministrisë së Drejtësisë”. 

-A ka defekte të tjera sipas jush projektligji?

“Një problem tjetër i evidentuar është se ky projektligj heq asistencën. Në projektligjin e mëparshëm parashikohej që, të bëheshe noter, duhet të bëje dy vjet stazh pranë një noterie, kurse në ligjin e ri kjo pikë është hequr. Është ulur niveli i kualifikimit të noterëve. Mjafton që ai të ketë mbaruar fakultetin Juridik, të ketë pesë vite pune si jurist, futet në provim dhe del noter. Ky person ka të drejtë që nesër të bëjë një kontratë me 10 milionë euro. Projektligji i ri parashikon që regjistri i noterit nuk duhet të jetë i vulosur, që do të thotë se noteri mund të mbajë disa regjistra, në një kohë që me ligjin aktual parashikohet që regjistri duhet të vuloset në Gjykatë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Me projektligjin e ri noteri merr regjistrin dhe fillon punën, nuk ka nevojë ta vulosë as në gjykatë dhe as në ministri. Mungesa e vulosjes mund të bëhet shkak për abuzime. Ne kërkuam që kushtet për t’u bërë noter të forcoheshin gjithmonë duke marrë dhe modelet evropiane”.

-Ky projektligj i është përqasur ndonjë modeli të huaj?

“Jo! Asnjë modeli. Është projektligj allashqiptarçe. Edhe nëse i referohemi modelit holandez, i cili është i vetmi vend që ka pranuar në teori liberalizimin. Me futjen e ligjit për një numër të pakufizuar noterësh, janë forcuar kushtet për t’u bërë noter. Pika këto të cilat projektligji ynë nuk i parashikon”.

-A keni marrë ndonjë përgjigje për kërkesat tuaja?

“Nuk është dhënë asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë. Të gjithë objeksionet tona janë paraqitur në tavolinën e rrumbullakët dhe në propozimet që kemi dhënë për projektligjin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›