E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e kazinosë “Apex, arrestohet një nga autorët e dyshuar



Arrestohet nga policia një tjetër person i dyshuar për grabitjen me armë të një kazinoje disa ditë më parë. Shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë, pas ndodhjes së vjedhjes me armë të kazinosë “Apex”, pasi kryen një punë intensive hetimore, arritën të identifikonin edhe autorin tjetër të dyshuar për këtë vjedhje. “Pas identifikimit dhe shpalljes në kërkim të 31-vjeçarit Marko Spiro Kumaraku, i cili pritet të ekstradohet nga Greqia për në Shqipëri, sot u realizua identifikimi dhe kapja e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje”, - sqaroi policia. Autori tjetër rezulton të jetë 23-vjeçari Klodian Xhemalaj, lindur dhe banues në Berat, i proceduar më parë për kryerjen e një sërë veprash penale si: vjedhje, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike. Ndaj tij u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes me armë” e kryer në “bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›