E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Bashës: Kemi besim te Gjykata e Lartë, janë profesionistë



Aktet e dërguara nga Prokuroria e Përgjithshme, të paligjshme

Nikaj: Dërgimin e dosjes në gjykatë e dëgjova rastësisht

Një ditë pas përfundimit të hetimeve dhe të dërgimit të dosjes në Gjykatën e Lartë, reagon avokati mbrojtës i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, Zef Nikaj. Gjatë një prononcimi për shtyp, avokati ka shpjeguar me detaje ku qëndrojnë shkeljet e prokurorisë në këtë çështje dhe pse nuk ka firmosur aktet procedurale një ditë më parë. “Dje kam pasur fletëthirrje për të shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk kam shkuar në kohë, por në 10:45. Qëllimi ka qenë se pas datës 6 nëntor të gjitha aktet procedurale të prokurorisë janë të paligjshme”, - u shpreh dje avokati mbrojtës i Bashës, Zef Nikaj. Për këtë qëllim, sipas tij, i ishte drejtuar edhe Gjykatës së Tiranës, e cila do të shqyrtojë këtë kërkesë, ndërsa kolegu i tij, avokati Genc Gjokutaj, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, gjykatë e cila pushoi hetimet, ndërsa i është drejtuar edhe Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar kërkesën e prokurorisë. Jo vetëm kaq. Nikaj shtoi se dje, pas paraqitjes në Prokurorinë e Përgjithshme, ka dorëzuar një deklaratë memorie, ku e cilëson si të pavlefshme procedurën hetimore të prokurorisë për ministrin Basha. Avokati argumentoi se çdo akt i prokurorisë është i paligjshëm, pasi është shkelur Kushtetuta. “Prokuroria e Përgjithshme e pa që çështja i ngeli në derë dhe e dërgoi dosjen në Gjykatë të Lartë. Organi i prokurorisë e ka zvarritur këtë çështje. Unë personalisht e mora vesh rastësisht që dosja ishte dërguar në Gjykatën e Lartë”, - ka sqaruar avokati Nikaj. Më tej, mbrojtësi shtoi se ashtu edhe siç kishin deklaruar se ishin në respektim të ligjit, kërkonte që edhe organi i akuzës të respektojë vendimet që jep gjykata. Mbrojtësi ka sqaruar se shkeljet e prokurorisë janë të rënda, ndërsa procesi do të jetë i këndshëm, pasi ka nene ligjore për ta deklaruar atë të pavlefshëm. “Ne kemi besim të plotë të gjykata. Gjykata e Lartë ka profesionistë dhe ne do të respektojmë çdo vendim që do të marrin”, - përfundoi Nikaj. Dy ditë më parë, Nikaj është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme përpara prokurorit të çështjes, Arben Kraja, ku dhe refuzoi të firmosë akuzat ndaj klientit të tij, duke i cilësuar si të paligjshme veprimet e prokurorisë. Avokati Zef Nikaj nuk ka pranuar që Lulzim Basha ka statusin e të pandehurit, por atë të personit nën hetim. Mbrojtësi i Lulzim Bashës i ka konsideruar akuzat dhe aktet e ngritura në ngarkim të klientit të tij të pavlefshme në kuptimin e nenit 128 dhe të papërdorshme në bazë të nenit 151 pika 4 të Kodit të Procedurës Penale.

Detaje

Mbrojtësi ka sqaruar se shkeljet e prokurorisë janë të rënda, ndërsa procesi do të jetë i këndshëm, pasi ka nene ligjore për ta deklaruar atë të pavlefshëm

“Ne kemi besim të plotë të gjykata. Gjykata e Lartë ka profesionistë dhe ne do të respektojmë çdo vendim që do të marrin”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›