Zjarri te “Ardeno”, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme
Dyshimet: Në momentin kur ka rënë zjarri, në atë zonë nuk ka pasur furnizim me energji elektrike. Pronari Alia: Nuk e kisha biznesin të siguruar këtë vit
Zjarrvënie e qëllimshme. Kjo është pista së cilës është duke i mëshuar më tepër grupi hetimor që po merret me zbardhjen e zjarrit të rënë në magazinat e kompanisë së prodhimit të mobilieve “Ardeno”. Ajo që ka bërë grupin e hetuesve të dyshojë për zjarrvënie të qëllimshme, ka qenë mungesa e energjisë elektrike në atë zonë në orën që ka rënë zjarri, çka, sipas grupit hetimor, e bën të pamundur shkaktimin e zjarrit nga një shkëndijë elektrike. Ndaj dhe, sipas burimeve, kjo pistë e shkëndijës elektrike përjashtohet. Tashmë po punohet për të gjetur qoftë edhe një provë të vogël që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes dhe saktësimit të shkakut të rënies së zjarrit te “Ardeno”. Ndërkohë që dëmi i shkaktuar kësaj kompanie nga rënia e zjarrit, i cili është shuar pas një pune intensive është mbi 10 milionë euro, shumë kjo e deklaruar nga pronari i “Ardenos”, Tonin Alia. Sipas pronarit të kompanisë së mobilieve “Ardeno”, dëmi i shkaktuar ka qenë shkatërrimtar për të, pasi nuk pati mundësi ta siguronte biznesin e tij këtë vit për shkak të burokracive. Zjarri i rënë i ka shkatërruar atij komplet linjën e përpunimit të drurit dhe do të jetë mjaft e vështirë rimëkëmbja. Megjithatë, ndryshe nga grupi hetimor, zjarrfikësit kanë dalë me një tjetër version për rënien e zjarrit, atë të shkëndijës elektrike. Sipas tyre, zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije në panelin elektrik të katit të parë të godinës “Ardeno”. Megjithatë, hetimi vazhdon dhe do të jetë grupi hetimor në përfundim të hetimeve që do të përcaktojë shkakun e saktë të zjarrit të rënë në kompaninë e mobilieve “Ardeno” në autostradën Tiranë-Durrës. Në kompaninë “Ardeno” punonin rreth 40-50 persona, të cilët me shkatërrimin e fabrikës, kanë mbetur aktualisht pa punë. Zjarri që dogji godinën e kompanisë së mobilieve të drurit, ndodhej shumë pranë disa pikave të furnizimit me gaz, “Sofi Gaz” dhe “Petrol Gaz”. Zjarrfikësit mundën të shmangnin dy ditë më parë një tragjedi që mund të ndodhte në rast të shpërthimit të këtyre pikave. Po kështu, ngjitur me murin rrethues të kompanisë, ndodheshin disa banesa, banorët e të cilave u evakuuan për arsye sigurie. Rasti i “Ardenos” është i dyti brenda pak ditësh. Vetëm pak ditë me parë, në të njëjtën autostradë u dogj godina e firmës për hidro-sanitare “Henry sh.p.k”.