U kapën me 2 kg heroinë, pretendojnë se është miell
Dje masa në gjykatë, “arrest me burg” për 5 të akuzuarit. Avokatët pretendojnë pafajësi për klientët, kërkojnë një ekspertizë të dytë
U kapën disa ditë më parë me 2 kilogramë heroinë, të pandehurit pretendojnë se është miell. Pretendimi është ngritur dje nga avokatët e të akuzuarve gjatë zhvillimit të masës së sigurisë, duke kërkuar bërjen e një ekspertize të dytë. Pretendimet janë ngritur dje në Gjykatën e Tiranës, e cila caktoi masat e sigurisë “arrest me burg” për pesë të arrestuarit e operacionit “Trekëndëshi”, ndërsa pritet që sasisë së drogës t’i kryhet një tjetër ekspertizë. Pesë të akuzuarit: Ibrahim Cani, 34 vjeç, Ardit Bakalli, 29 vjeç, Nikolin Merko, 37 vjeç, Denis Caveli, 20 vjeç dhe Fatmir Mezini, 19 vjeç, kanë mohuar akuzat e ngritura në ngarkim të tyre. Përpara gjyqtares së gatshme, Fatmira Hajdari, avokatët mbrojtës kanë shpjeguar se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe nuk kanë lidhje me akuzat e ngritura dhe as me sasinë e lëndës narkotike. Sipas mbrojtjes, droga i ishte sekuestruar të pandehurit Merko, ndërsa klientët e tyre ishin kapur secili më vete, ku edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga policia nuk u është gjetur asgjë e paligjshme. Ndërkohë që secili prej të akuzuarve mohonte akuzën dhe paraqiste versionin e tij, avokati i Merkos, të cilit iu kap droga, hodhi një tjetër version lidhur me mallin e kapur. Sipas tij, sasia e lëndës narkotike, e cila dyshohet të jetë 2 kilogramë e 100 gramë heroinë, nuk është drogë ashtu siç pretendon akuza, por miell. Për këtë fakt, avokati mbrojtës i kërkoi gjykatës që t’i bëhej një ekspertizë sasisë së sekuestruar. Pas argumenteve, mbrojtja i ka kërkuar gjykatës lirimin e klientëve të tyre, pasi ishin të pafajshëm. Pas pretendimeve të ngritura nga ana e mbrojtjes, prokuroria i shpjegoi gjykatës se ndaj të pandehurve ka prova bindëse për përfshirjen në këtë aktivitet kriminal. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Arben Qosja, pesë të pandehurit janë mbajtur nën përgjim për dy muaj rresht, nga të cilët është faktuar aktiviteti i tyre. Prokuroria ka shpjeguar se sasia e sekuestruar është lëndë narkotike dhe jo miell, për këtë akuza i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Pas dëgjimit të të dyja palëve, gjyqtarja e gatshme ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurve. Gjithashtu, sasisë së lëndës narkotike do t’i kryhet edhe një herë ekspertiza për të parë nëse ajo është vërtet drogë apo miell, siç pretendojnë të pandehurit. Pesë të pandehurit ranë në pranga katër ditë më parë në kryeqytet. Sipas prokurorisë, të pandehurit u arrestuan gjatë momentit të shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të kryqëzimit të “Rrugës së Elbasanit”. Nga hetimet e kryera nga prokuroria e Tiranës ka rezultuar se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shtrirë aktivitetin e tyre në rrethet Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Tiranë.