E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketat e udhëtimeve turistike, cilat janë të drejtat e turistëve



Rekomandimet e OSBE-së në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga personat që i shesin këto paketa turistike kundrejt konsumatorit

Një numër i vogël personash ka dijeni mbi të drejtat që ka gjithsecili në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga një zyrë e agjencisë turistike kundrejt konsumatorit. Të gjithë ne dimë detyrimet tona në rast se nuk i përmbahemi një kontrate përballë agjencive që shesin paketa të ndryshme turistike, ndërkohë që për të drejtat tona kemi mangësi në informacione. Por, për të arritur që të mbrojmë të drejtat tona në rast mospërmbushjeje të detyrimeve gjatë një udhëtimi turistik, na vjen në ndihmë OSBE-ja, e cila ka rekomanduar disa direktiva të BE-së, të cilat gjejnë zbatim në vendet anëtare, por ende nuk është zbatuar plotësisht në vendin tonë. BE-ja ka përgatitur disa direktiva për Mbrojtjen e Konsumatorit në fushën e paketave të udhëtimeve, të cilat OSB-ja rekomandon të zbatohen plotësisht edhe në vendin tonë. Sipas direktivave të BE-së, shitësi i një pakete turistike duhet që të informojë plotësisht blerësin e paketës (udhëtarin) lidhur me çfarë ofron udhëtimi: rezervimin, çmimet, ndryshimet dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me udhëtimin turistik, si dhe çfarë detyrimesh përmban kontrata në rast të mosrealizimit të të gjitha opsioneve të ofruara.

Direktiva e BE-së

Mbrojtja e Konsumatorit në fushën e paketave të udhëtimeve parashikohet në Direktivën 90/314/EEC të Këshillit, datë 13 qershor 1990 për paketat e udhëtimeve, pushimet me paketë dhe turnetë me paketë. Kjo direktivë zbatohet për të ashtuquajturat “paketa”. “Paketë” do të thotë një kombinim i paracaktuar i jo më pak se dy prej shërbimeve të mëposhtme: a) transportit; b) akomodimit; c) shërbimeve të tjera turistike joplotësuese të transportit ose akomodimit dhe që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të paketës. Për më tepër, direktiva zbatohet vetëm kur paketa është shitur ose ofrohet për shitje në një çmim të përgjithshëm dhe nëse shërbimi mbulon një periudhë prej më shumë se njëzet e katër orë ose përfshin akomodim gjatë natës. Përkufizimi i termit “konsumator” i përdorur në direktivë ndryshon nga përkufizimet në direktivat e tjera. Në pajtim me nenin 2, paragrafi 4, “konsumator” është personi që merr ose bie dakord të marrë paketën (“kontraktuesi kryesor”) ose çdo person tjetër në emër të të cilit kontraktuesi kryesor bie dakord të blejë paketën (“përfituesit e tjerë”) ose çdo person tek i cili kontraktuesi kryesor ose një prej përfituesve të tjerë transferon paketën (“personi të cilit i bëhet transferimi”). Kështu, direktiva është e zbatueshme edhe (në shumë pak raste) për paketat e udhëtimeve të bizneseve. Si fillim, Direktiva parashikon një informacion të caktuar që duhet t’i jepet udhëtarit (nenet 3, 4). Informacioni nuk duhet të jetë keqorientues (neni 3). Neni 4 trajton edhe të drejtat e udhëtarëve për të transferuar rezervimin, rishikimin e çmimeve, ndryshimin e kushteve, anulimin nga organizatori, si dhe pasojat në rastin kur nuk kryhet një pjesë e rëndësishme e shërbimeve të kontraktuara.

Për më tepër, nenet 5 dhe 6 përforcojnë të drejtat e udhëtarëve në rastin kur paketa ka mangësi. Së fundi, neni 7 e detyron organizatorin dhe/ose palën në kontratë e që shet me pakicë, të japë prova të mjaftueshme të garancisë për kthimin e parave të paguara dhe për rikthimin e konsumatorit në vendin e vet në rast falimentimi.

Situata shqiptare sipas LMK-së 2008

Kjo Direktivë nuk u transpozua nga Ligji i mëparshëm për Mbrojtjen e Konsumatorit (nr. 9153, datë 11.9.2003). Megjithatë, Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit (nr. 9902, datë 17.4.2008) përmban dispozita përkatëse në nenet 46 e në vijim të tij. Neni 46 përkufizon “kontratat e udhëtimeve me paketë”. Ky përkufizim përputhet me përkufizimin e “paketës” të dhënë në nenin 2 të Direktivës. Megjithatë, përkufizimet e mëtejshme të parashikuara në nenin 2 të Direktivës (organizues, shitës me pakicë, kontratë) mungojnë në LMK-në e re, ndonëse këta terma përdoren në nenin 47 të LMK-së. Sigurisht, termi “konsumator” përkufizohet në nenin 3, domethënë, si çdo person tjetër fizik, i cili vepron për qëllime që nuk lidhen me tregtinë, shoqërinë tregtare ose ushtrimin e profesionit të tij. Megjithatë, ky përkufizim nuk përputhet me termin “konsumator” të përdorur në Direktivë, sepse ai përfshin edhe shoqëritë tregtare. Prandaj, në lidhje me paketat tregtare për shoqëritë tregtare, Direktiva nuk është implementuar sa duhet; përsëri, kjo është të paktën pjesërisht për shkak të vendimit për të nxjerrë një ligj të veçantë për mbrojtjen e konsumatorit dhe jo për t’i përfshirë dispozitat përkatëse në Kodin Civil. Neni 47 i Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit titullohet “Detyrime të përgjithshme dhe të veçanta”. Në bazë të nenit 47 paragrafi 1, çdo çështje përshkrimore lidhur me paketën dhe që i është servirur konsumatorit nga organizuesi ose shitësi me pakicë, çmimi i paketës dhe çdo kusht tjetër i vlefshëm për kontratën, nuk duhet të përmbajnë asnjë informacion keqorientues; ky është një transpozim (problematik nga pikëpamja gjuhësore) i nenit 3 paragrafi 1 të direktivës. Neni 47 paragrafi 2 i LMK-së së re rendit një pjesë, por jo të gjitha detyrimet e informimit të parashikuara në nenin 3, paragrafi 2 të Direktivës. Neni 3 paragrafi 2 nuk është transpozuar plotësisht. LMK-ja nuk përmban ndonjë dispozitë tjetër lidhur me udhëtimet me paketë. Për rrjedhojë, nenet 4 e në vijim të Direktivës nuk janë implementuar. Direktiva 90/314/EEC e Këshillit Evropian, e datës 13 qershor 1990, për udhëtimet me paketë, pushimet me paketë dhe turnetë me paketë, nuk është transpozuar plotësisht në legjislacionin shqiptar. Për këtë arsye, nga OSBE-ja rekomandohet implementimi i plotë i kësaj Direktive.

Direktiva e BE-së në ndihmë të turistëve

Neni 3 dhe 4

Direktiva parashikon një informacion të caktuar që duhet t’i jepet udhëtarit nga shitësi i paketës turistike

Neni 3

Informacioni nuk duhet të jetë keqorientues

Neni 4

Ky nen trajton edhe të drejtat e udhëtarëve për të transferuar rezervimin, rishikimin e çmimeve, ndryshimin e kushteve, anulimin nga organizatori, si dhe pasojat në rastin kur nuk kryhet një pjesë e rëndësishme e shërbimeve të kontraktuara

Neni 5 dhe 6

Këto nene përforcojnë të drejtat e udhëtarëve në rastin kur paketa ka mangësi.

Neni 7

Detyron organizatorin dhe/ose palën në kontratë e që shet me pakicë, të japin prova të mjaftueshme të garancisë për kthimin e parave të paguara dhe për rikthimin e konsumatorit në vendin e vet në rast falimentimi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›