E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BB-së: “Eksportet shqiptare, të natyrës primitive”



Në një raport të fundit të sajin, Banka Botërore e rendit Shqipërinë si një ndër vendet më të prapambetura për zhvillimin teknologjik dhe produktivitetin e prodhimeve bujqësore. Në raportin e saj më të fundit BB-ja thotë: “Eksportet shqiptare janë gati të natyrës primitive dhe për pasojë shumë pak të ardhura mund të grumbullohen në ekonomi nga shitja e tyre”. Gjithashtu raporti vijon më tej duke thënë se “mjafton një tronditje e çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe këto prodhime do të goditen rëndë duke bërë që eksportet të mos jenë të leverdishme”. Sipas ekspertëve të BB-së, të cilët e kanë hartuar këtë raport duke iu referuar vendeve të Ballkanit dhe Europës Lindore dhe Juglindore, “vendet që e mbështesin rritjen e tyre ekonomike te burimet natyrore, bujqësia dhe turizmi mbeten joproduktive”. Në këtë linjë shprehet dhe përfaqësuesja e BB-së për Shqipërinë, Camille Nuhama, e cila nuk ka ngurruar që t’i vërë në dukje të metat qeverisë shqiptare, sidomos në drejtim të zhvillimit të bujqësisë dhe prodhimit vendas. Këto të meta janë pranuar edhe nga vetë kryeministri Sali Berisha, që e ka parë problemin te sistemi arsimor, që sipas tij, “nuk po prodhon një fuqi punëtore të kualifikuar”. Sipas të dhënave të këtij raporti, vetëm 10.9 për qind e produkteve shqiptare për eksport përbëhen nga kapitali dhe njohuritë. Ndërkohë në Maqedoni kjo shifër është 35 për qind, ndërsa në Sllovaki 71 për qind. Edhe ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, gjatë punimeve të Konferencës Ekonomike në Tiranë theksoi mes të tjerave, se “në kushtet e globalizimit, rritja e konkurrencës për ekonominë shqiptare është edhe sfida e vërtetë, dhe në këtë drejtim roli i investimeve të huaja është mjaft i rëndësishëm”. Për Rulin, rritja e investimeve të huaja direkte është e ndjeshme gjatë viteve të fundit, pasi në vitin 2007 ato u dyfishuan krahasuar me një vit më parë. "Tërheqja e investimeve të huaja është e nevojshme dhe e domosdoshme", - tha Ruli. Ai përmendi si fusha mjaft tërheqëse energjetikën, parqet e reja industriale, që do të hapen në Shqipëri, ku rol po luan dhe partneriteti publik-privat në zhvillimin e tyre, që pritet të rritet dukshëm në të ardhmen e shpejtë.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›