Grabitja e malazezëve, 30 të shoqëruar
LEZHE - Policia e Lezhës shoqëron 30 persona për t'i marrë në pyetje në lidhje me grabitjen e 20 mijë dollarëve të shtetasve malazeze. Ngjarja e ndodhur pasditen e së mërkurës në afërsi të fshatit Kallmet ka mbetur ende e pazbardhur. Ditën e djeshme, dy malazezët që jetonin në Ulqin, janë shoqëruar deri në pikën kufitare nga policia. Një natë më parë, njëri prej të grabiturve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, u mbajt nën kontrollin e mjekëve për shkak të plagës nga dhuna e autorëve. Nga ana e saj, policia e Lezhës ka kërkuar dhe ndihmën e kolegëve të Shkodrës për të kryer kontrolle e shoqëruar persona të dyshuar. Që nga momenti i denoncimit e deri dje, në komisariatin e Lezhës ishin shoqëruar 30 persona, por nga asnjë prej tyre nuk është gjetur ndonjë dyshim se është pjesë e grupit të autorëve. Grabitja me maska e ndodhur në orët e ditës, ka shënuar ngjarjen e parë të rëndë për këtë verë, ku shënjestër janë turistët e huaj. r.n