E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet Muçmataj, aleatët kundër PD



Erald Kapri

Aleatët dalin kundër Partisë Demokratike në votimin e dekretit të Presidentit, Bamir Topi, për në Gjyka-tën e Lartë. Kuvendi rrëzoi dje kandidaturën e Vexhi Muçmatës, për në Gjykatën e Lartë, por nuk mori asnjë votë nga aleatët e saj qeverisës. Muçmata u rrëzua me 65 vota kundër të deputetëve të PD-së, por kandidatura e tij u mbështet nga 3 deputetët e LSI-së, Nasim Naço, Lefter Koka e Dritan Prifti (Ilir Meta mungoi në seancë). Njëkohësisht, Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, votoi abstenim dhe të njëjtën votë dha edhe deputeti tjetër i PD-së, Paulin Sterkaj. Nga ana tjetër edhe dy deputetët e Partisë Drejtësi me unitet votuan ndryshe. Kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi dha votën pro kësaj kandidature, ndërsa Dashamir Tahiri dha votë ndryshe nga kryetari i tij, abstenim, gjithsesi ndryshe nga qëndrimi i maxhorancës së djathtë. Kjo është hera e parë që në Kuvend të gjithë aleatët e vegjël të Partisë Demokratike japin një votë kundër qëndrimit të Qeverisë “Berisha”. Vota pro ishte paralajmëruar nga LSI-ja ndërsa surprizë ishte abstenimi i Ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, si dhe të deputetëve të PDU-së që votuan ndryshe nga njëri-tjetri. Maxhoranca vendosi që herët për mos miratimin e kandidaturës së Vexhi Muçmatës për në Gjykatën e Lartë. Sipas Partisë Demokratike, Muçmata ka qenë hetues në kohën e diktaturës dhe vendosi për rrëzimin e tij. Ky është dekreti i tretë i Presidentit Bamir Topi brenda këtij sesioni parlamentar që rrëzon maxhoranca. Vetëm 1 javë më parë, deputetët e djathtë rrëzuan kandidaturën e Sokol çomos për në Gjykatën e Lartë. Edhe në këtë votim, LSI-ja votoi ndryshe nga PD, e mbështetur edhe nga deputetët e PDU-së. Vetëm 2 muaj më parë, maxhoranca rrëzoi dekretin për në Gjykatën Kushtetuese, atë të Vangjel Kostos, duke shkaktuar reagim. Në relacionin për kandidatin Muçmata, thuhej se ai “kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit dhe ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Besimi te ky kandidat në integritetin moral dhe profesional, vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit, për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë”. Vexhi Muçmata është aktualisht prokuror në Prokurorinë e Tiranës, me një eksperiencë 20-vjeçare në këtë institucion.

votimi

65 deputetë kundër
4 deputetë pro
3 deputetë abstenim

Votat pro
Nasip Naço, LSI
Dritan Prifti, LSI
Lefter Koka, LSI
Shpëtim Idrizi, PDU

Votat abstenim
Fatmir Mediu, PR
Paulin Sterkaj, PD
Dashamir Tahiri, PDU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›