Vrasja e Brukës, dyshime për bashkëpunim
BURRE - Shtyhet masa e arrestit për 27-vjeçaren Fatbardha Gjoni, e dyshuara kryesore e akuzuar për vrasjen e Flamur Brukës. Megjithëse hetuesit e çështjes së bujshme janë të rezervuar për mediat, mësohet se po hetohet në pista të tjera të vrasjes së ndodhur në fshatin Baz. Njëra prej të cilave ajo e pranisë së personave të tjerë në vendngjarje. Të afërm të viktimës kanë hedhur dyshime se vrasja nuk është kryer nga e reja dhe se armët e sendet e tjera Flamur Bruka nuk i ka pasur me vete, por i janë vënë në trup pak momente para vdekjes. Kjo dhe të tjera variante kanë imponuar Prokurorinë e Matit të shtyjë për sot dërgimin e çështjes në gjykatë. Mësohet gjithashtu si organi i akuzës deri tani e ka akuzuar Gjonin jo për "vrasje për vetëmbrojtje", por për "vrasje me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Nga ana e policisë pohohet se efektivët e saj shkuan menjëherë në vend pas njoftimit, duke prangosur si të dyshuar 27-vjeçaren. h.p