E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e ulqinakëve, pesë në pranga

LEZHË/ Drejtori i policisë Muharrem Furriku ka dalë në një konferencë një ditë pas protestës së dhunshme


Si autorë të grabitjes së ndodhur një javë më parë janë identifikuar pesë të rinj të moshave 21-30 vjeç


LEZHË - Gjashtë ditë pas grabitjes së ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, policia ka dalë me një deklaratë zyrtare duke zbardhur të gjithë ngjarjen, ndërkohë që deklaroi se janë ndaluar 5 vetë si autorë të vjedhjes me dhunë të tre shtetasve ulqinakë.


Në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë së Qarkut të Lezhës, Muharrem Furriku, theksoi se për grabitjen e ndodhur më 14 korrik janë vënë në pranga 5 autorë të dyshuar. Kështu, në orët e para të mëngjesit të së dielës u ndaluan shtetasit Vladimir Nikolli, 30 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, dhe Flori Nikolli, 25 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Lezhë.


Një ditë më pas u bë ndalimi i 23-vjeçarit Ardit Skandaj, i shtetasit Sokol Jashari, 21 vjeç dhe i bashkëmoshatarit të tij Fation Sejfullai. Furriku deklaroi se ndalimi i tyre u bë për veprat penale të "vjedhjes me dhunë në bashkëpunim" dhe të "kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës".


Sipas drejtorit të policisë, më datë 14.07.2010 këta shtetas në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë kryer "vjedhjen me dhunë në bashkëpunim" ndaj tre shtetasve malazezë, në vendin e quajtur kryqëzimi i rrugës Kallmet, përgjatë superstradës Lezhë - Shkodër.


Drejtori Furriku theksoi se fillimisht është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një motor i markës "Honda", pa targa me ngjyrë blu, me të cilën autorët kanë kryer vjedhjen dhe që i përket shtetasit Flori Nikolli.


Më pas, në vijim të hetimeve të kryera janë gjetur dhe sekuestruar kartëmonedha me prerje 1000 dhe 2000 lekë me vlerë 250 000 lekë të reja, pistoletë tip TT, karikator me 7 fishekë, 3 telefona, 2 të markës "LG" dhe tjetri i markës "Samsung", 1 aparat fotografik, 1 kamerë dixhitale e markës "Sony", 1 orë e markës "Breil", 1 kuti plastike me syze optike, 3 karikues telefonash të markës "LG".


Operacioni i 17 korrikut


Për herë të parë publikisht Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës sqaroi opinionin publik lidhur me operacionin e marrë me 17 korrik për kapjen e autorëve të dyshuar ku mbeti i vrarë 16-vjeçari Armando Skandaj, vëllai i 23-vjeçarit të arrestuar.

Furriku deklaroi se "Drejtoria Policisë Qarkut Lezhë sqaron opinionin publik se me datë 17.07.2010, gjatë një operacioni për të kapur autorët e grabitjes, të cilët ishin konstatuar nga ana e policisë se po lëviznin me automjetin me targa TR 7870 R, ku iu është bërë thirrje për të ndaluar, këta të fundit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, fillimisht duke u përplasur me mjetin në postbllokun e ngritur për kapjen e tyre, ku mbeti i lënduar lehtë një nga efektivët e policisë rrugore, më pas kanë qëlluar me armë zjarri ndaj forcave të policisë ku këta të fundit i janë përgjigjur zjarrit, dhe për pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Armando Skandaj, 16 vjeç, i cili ndodhej në makinë me autorët e lartpërmendur".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›