E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet për një celular pronari i një lokali

DURRËS/ Agim Seci është qëlluar me tre plumba në bark dhe në kokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme


Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin si autor, Shpëtim Memën. Jep 500 000 lekë për informatorin


DURRËS - Vritet pronari i një lokali në plazhin e Durrësit në orët e para të mëngjesit, teksa shkaku banal për ekzekutimin e babait të tre fëmijëve nga një klient, ka qenë humbja e një celulari. Kanë qenë orët e para të mëngjesit të së martës, sipas të dhënave të policisë rreth orës 03:20, kur disa krisma arme zjarri kanë tronditur banorët e njerës prej lagjeve qendrore të plazhit të Durrësit.


Nga krismat e dëgjuara, pas lajmit që u bë publik, ishte ekzekutuar pronari i një lokali me muzikë. Vrasja ka ndodhur në lagjen 13 Durrës, në sektorin "Apolonia" të plazhit të Durrësit, tek lokali "Diaspora", ku pas një konflikti të çastit ka mbetur i vrarë me armë zjarri 53-vjeçari Agim Seci, lindur në Markaj Tropojë e banues në Tiranë.


Viktima kishte 3 vjet që në sezonin turistik të verës rikthehej nga Gjermania ku banonte që në vitin 1992 dhe ushtronte biznesin e vet në lokalin ku ftonte këngëtarë. Ai, sipas një dëshmie të njërit nga anëtarët e personelit, e kishte rezervuar atë për 3 muajt e verës me rreth 10 000 euro.


Vrasësit kanë qenë klientë të lokalit, të cilët pasi kanë pirë dhe kanë vallëzuar janë grindur për një telefon celular. Katër klientët pasi kanë pirë birra dhe pije të tjera janë nisur të dalin dhe pas pak jane kthyer duke i thënë pronarit se kishin humbur celularin. Sipas zëdhënëses së policisë, në banak është gjetur njëri prej celularëve, por klientët kanë kërkuar një celular të dytë, i cili nuk ka rezultuar se ndodhej në banak.


Kjo e ka acaruar situatën dhe viktima u është drejtuar atyre se do t'u blinte 2 celularë të rinj. Pas kësaj replike, thuhet se njëri prej tyre, i ka kërkuar që ta priste në lokal sa të kthehej dhe, duke qenë se njiheshin, ky paralajmërim nuk është marrë seriozisht.


Vrasja


Sipas dëshmive të personelit, kanë qenë duke mbyllur lokalin dhe kur po bisedohej për të shkuar e ngrënë diçka pas pune, një nga personeli i shërbimit i ka thënë pronarit të lokalit, Agimit, se po vinte një person i armatosur.


Ai ishte parë që nga banaku kur po ngjiste shkallët me një arme tip "Shotgan" në dore. Agimit i është rekomanduar që të futej në një prej anekseve dhe të hidhej nga dritarja që ishte pas saj, por ai nuk e marrë në konsideratë këtë dhe e ka pritur përballë personin e armatosur.


Sipas dëshmitarëve i është drejtuar autorit me fjalët: "Ja ku jam!" Agresori nuk e ka mëshiruar në këtë perballje dhe e ka qëlluar drejt e në bark dhe i ka hapur plagë të madhe dhe më pas në kokë duke i dhënë 3 goditje vdekjeprurëse. Më pas është larguar.


Policia


Menjëherë pas ngjarjes është njoftuar policia, e cila pas mbërritjes ka bërë dhe shoqërimin në komisariat të dëshmitarëve okularë, duke marrë në pyetje. Blutë bëjnë të ditur se është identifikuar si autor i ngjarjes shtetasi 32-vjeçar Shpëtim Mema, banor i fshatit Pjezgë të Shijakut.

Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka vendosur një fond shpërblimi prej 500 mijë lekësh për të shpërblyer personin që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit të vrasjes së Agim Secit, duke ruajtur edhe sekretin e personit që ka bërë denoncimin.

Personaliteti i Secit


Agim Seci ishte një biznesmen që ushtronte veprimtarinë e vet prej 3 vitesh në plazhin e Durrësit. Ai ishte rikthyer nga Gjermania ku më parë merrej me biznesin e menaxhimit të koncerteve me këngëtarë e këngëtare shqiptare e të viseve të Kosovës.. Në zonën ku ishte instaluar në plazhin e Durrësit ai ka gëzuar një reputacion mjaft të mirë nga klientët, si dhe banorët përqark. Sipas të njohurve, ishte mjaft komunikues dhe i thjeshtë.


Në lokalin e tij, ndryshe nga lokalet e tjera, nuk parapaguhej për hyrjen. Kishte emigruar në Gjermani që në vitin 1992. Kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Një person që kishte 2 vite që punonte me të thoshte se asnjëherë nuk e kishte parë të vrenjtur, por gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë, deri në momentin kur ishin parë për herë të fundit së bashku disa orë para fundit tragjik të tij. Sipas një miku të viktimës, Agimi kishte qenë shoferi që kishte tërhequr Shtratin e Topit ku ndodhej arkivoli i Enver Hoxhës, ditën e varrimit, me 15 prill 1985.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›