E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja, maskat terrorizojnë një familje

Maskat terrorizojnë një
familje në Tiranë. Tre
persona të maskuar
kanë hyrë në banesën e një
familjeje, i kanë lidhur ata me
litar dhe u kanë vjedhur 600 mijë
lekë. Kryefamiljari ka mundur të
zgjidhet dhe të kërkojë ndihmën
e policisë, por autorët ishin larguar.
Gjendja kritike ka zgjatur
rreth 60 minuta, ndërkohë që
policia ka nisur punën për dokumentimin
e plotë të kësaj ngjarjeje
të rëndë në kryeqytet.
Burimet policore bënë të ditur
se ngjarja ka ndodhur në
familjen e Shaqir Belbës. Sipas
informacioneve zyrtare, në orën
03:00 të mëngjesit të djeshëm,
në sallën operative ka telefonuar
një qytetar sipas të cilit në
lagjen Kodër-Vaqar, disa persona
kanë shkuar në një banesë
dhe kanë lidhur Shaqir Belbën
dhe pjesëtarët e tjerë të familjes
së tij. Menjëherë, shërbimet e
policisë kanë dërguar dy patrulla
në vendin e identifikuar, të
cilët kanë konstatuar ngjarjen e
ndodhur. Nga verifikimi paraprak
ka rezultuar se disa persona
me maska, të cilët kishin
vjedhur 600 mijë lekë dhe kishin
lidhur Shaqirin, bashkë dhe
dy gratë në banesë.
Sapo kjo ngjarje është konstatuar,
shërbimet e policisë
kanë njoftuar seksionin kundër
vjedhjeve me dhunë dhe armë.
Specialistët e këtij seksioni
kanë mbërritur menjëherë në
vendin e ngjarjes dhe kanë marrë
në pyetje dëshmitarin kryesor
të saj, 61-vjeçarin Shaqir Belba.
Ky i fundit ka treguar se ka qenë
në gjumë, bashkë me familjarët
e tjerë, kur kishte dëgjuar zhurma
në banesë. Ai është ngritur
për të parë se çfarë po ndodhte,
kur persona të maskuar dhe në
errësirë, e kanë izoluar nga duart
e këmbët e më pas e kanë
lidhur me litar. Të njëjtin fat
kanë pasur edhe dy femrat e
familjes së tij, të cilat kanë dëgjuar
zhurmë dhe kanë shkuar
pas kryefamiljarit. Më pas, sipas
denoncimin të Belbas, personat,
që sipas tij, kanë qenë të
maskuar, kanë filluar të kontrollojnë
në çdokënd të banesës.
Nga ana tjetër, njëri prej personave
ka kërcënuar familjen të
tregonte se ku ruanin paratë,
përndryshe do t‘i vrisnin. Sipas
denoncimit, i cili tashmë ndiqet
nga seksioni kundër vjedhjeve
me dhunë, ata kanë qëndruar për
rreth një orë, duke kontrolluar
banesën. Në një moment, në një
sirtar në dhomën e gjumit, grabitësit
kanë gjetur shumën e
parave të grabitura, të cilën
familja e kishte lënë në ruajtje për
rastet në nevojë. Shaqir Belba ka
treguar se aty kishte ruajtur rreth
600 mijë lekë (të reja), nga kursimet
dhe nga të ardhurat e fëmijëve.
Më pas, grabitësit janë larguar
ndërsa familjarët e lidhur,
kanë "nisur punën" për t‘u
zgjidhur. Belba ia ka dalë mbanë
në një moment dhe ka telefonuar
policinë. Shërbimet policore
nuk kanë vonuar për t‘u paraqitur
në vendin e ngjarjes, megjithatë
ka qenë shumë vonë për
gjetjen e autorëve të mundshëm.
Burimet nga grupi hetimor
bënë të ditur se pas regjistrimit
të kallëzimit penal ka nisur puna
për sqarimin e plotë të rrethanave
dhe identifikimin e autorëve
të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Sipas specialistëve të seksionit
kundër vjedhjeve me dhunë,
familja e grabitur vazhdon të jetë
e terrorizuar nga kjo ngjarje e
rëndë. Ndërkohë, sipas hetimeve
të deritanishme, dyshohet se grabitësit
janë banorë të lagjes ku ka
ndodhur ngjarja. Megjithatë,
ende nuk ka ndonjë emër
konkret për autorësinë e kësaj
grabitjeje. Sipas uniformave blu,
gjatë natës dhe gjatë ditës së
djeshme janë marrë në pyetje
shumë persona dhe po punohet
për kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›