Grabitja me helikopter shtang Suedinë
Suedia u shtang dje nga vjedhja më spektakolare e viteve të fundit. Ngjante me një film hollivudian, por ishte goditja më e fortë ndaj një banke e organizuar në këtë vend të qetë. Një helikopter i vjedhur që rrinte në pritje në errësirën para agimit, hajdutët që vidhin guximshëm depozitën e bankës, një seri shpërthimesh, një sasi e panjohur pasurie e vjedhur, ndërkohë, policia ndaloi ndjekjen e tyre nga plasja e gomave dje, një dyshim për bombë... Stokholmi i civilizuar, i pasur dhe i qetë, nuk kishte dëgjuar prej kohësh një ngjarje të tillë. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një bandë e mirë-organizuar realizoi një nga vjedhjet më të guximshme të kohëve të fundit, që me siguri do të nxisë skenaristët në Hollivud për një subjekt të ri. Dëshmitarë në periferi të Stokholmit thanë se kanë parë rreth orës 5 të mëngjesit dy apo tre burra të rrëshqasin nga një helikopter (që më vonë u zbulua i vjedhur). Ata hynë përmes një dritareje çatie në ndërtesën që i përkiste kompanisë së shërbimeve të sigurimit, G4S. Disa shpërthime u dëgjuan më pas, kur grabitësit mendohet se kanë shpërthyer derën e dhomës së parave. Më pas dëshmitarët i panë të ngjiteshin në helikopter me disa çanta, që duhej të ishin të mbushura me para. E gjitha zgjati rreth 20 minuta. Policia mori në pyetje katër punonjësit që ishin në punë në kohën e ngjarjes. G4S ka ofruar shpërblim për çdo informacion mbi grabitësit dhe vendndodhjen e parave dhe deklaroi se asnjë punonjës nuk u lëndua fizikisht. Disa orë më pas helikopteri u gjet në një zonë me drurë në veri të Stokholmit. Sipas policisë, ata kanë lënë shumë të dhëna në vendngjarje dhe helikopter. Helikopterët e policisë nuk mundën t’i ndjekin ata, pasi në kohën e alarmit një bombë shpërtheu pranë vendqëndrimit të helikopterëve të policisë. Grabitja është konsideruar, unike! (M&C)