E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shqiptari kapet me 19 kile kokainë

 

ITALI – Kontrolli rutinë i policisë në automjetin BMW X5 me të cilin po lëvizte një shqiptar në Itali ka zbuluar 19 kilogramë kokainë. Sipas hetimeve paraprake, sasia e narkotikut vinte nga Spanja, ndërsa destinacioni i saj përfundimtar ishte tregu i Lacios në Itali, ku ajo do të shitej me pakicë. Ndërsa sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike, që kapte vlerën e shtatë milionë e 600 mijë eurove, është sekuestruar. Sipas hetimeve dyshohet se shqiptari është vetëm korrier, ndërsa mbi të rëndon tashmë akuza e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Përpara policisë, ai nuk ka pranuar pronësinë e lëndës narkotike, duke pretenduar se e kishte blerë makinën të përdorur dhe se nuk dinte asgjë për drogën. Lajmi për arrestimin e shqiptarit Ervis Petro në Itali u bë i ditur dje nga agjencitë e lajmeve të vendit fqinj. Referuar burimeve mediatike italiane bëhej e ditur se “Ervis Petro, 35 vjeç, shqiptar, rezident në Romë, është arrestuar nga karabinierët në një nga postblloqet rrugore të autostradës A/10 të Ventimilias me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Behet e ditur se, kanë qenë shenjat e nervozizmit përpara uniformave të policisë ato që kanë tradhtuar Petron.
Shqiptari 35-vjeçar, ka qenë duke drejtuar një automjet të tipit “BMW X5”, në autostradën A/10 kur ka parë përpara tij një postbllok policie. sipas burimeve policore, mësohet se hezitimi tek drejtuesi i X5-ës është vënë re që para se ai të ndalohej për kontroll. Ndërsa punonjësit e policisë kanë vijuar në punën e tyre, për kontrollin fizik të automjetit në fytyrën e 35-vjeçarit. Kjo ka krijuar dyshime tek karabinierët, të cilët kanë vënë re se në dyshemenë e pasme të automjetit kishte shenja se ishte lëvizur tapiceria, çka ka krijuar dyshimet për një fund të dyfishte. Bazuar në nervozizmin e 35-vjeçarit, karabinierët e kanë dërguar automjetin në kazermë për një kontroll të imtësishëm. Kontrolli në kazermë ka zbuluar më pas të gjithë sasinë narkotike. Mësohet se në dyshemenë e X5-ës janë gjetur 18 pako me kokainë, që në total arrinin 19 kilogramë. Përpara autoriteteve policore Petro ka pohuar se droga nuk ishte e tij. Sipas tij, ai e kishte blerë automjetin të përdorur pak kohë më parë dhe nuk dinte asgjë rreth drogës.  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›