E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje 120 mijë euro me biletat e avionëve, kapen 8

11/05/2010 Task-Forca zbulon skemën e mashtrimit kompjuterik të agjencive të udhëtimit

TIRANE- Tetë persona janë vënë nën akuzë nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi për gati tre muaj hetime, ka rezultuar se ata kanë mashtruar dhjetëra qytetarë nëpërmjet internetit, duke i vjedhur atyre një shumë prej rreth 120 mijë euro. Mësohet se 5 nga të arrestuarit janë administratorë të agjencive të udhëtimit, ndërkohë që tre personat e tjerë të vënë në pranga janë gra, punonjëse pranë këtyre agjencive. Sipas hetuesve, këta persona prej tre muajsh merrnin aplikime për udhëtime jashtë vendit duke u marrë paratë cash të biletave në agjencitë e udhëtarëve. Pagesat tek kompanitë e avionëve, kompanitë detare, bëheshin nga numra serike të kartave të kreditit që u përkasin shtetasve kryesisht nga Amerika, Kanadaja, por dhe nga Shqipëria. Hetuesit thanë se drejtuesi i këtij grupi dyshohet se është një shtetas kosovar, nga qyteti i Preshevës. Tetë personat dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë kryer veprime me karta bankare, të cilat dyshohen se janë të vjedhura apo të klonuara. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto karta janë përdorur në sisteme kompjuterike, të cilat përdoreshin për të prerë bileta udhëtimi të linjave ajrore në sistemin “Online”. Rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer shpërndarjen e biletave të udhëtimit, të cilat ishin prerë në agjencitë e udhëtimit kryesisht në Tiranë, por dhe në qytete të tjera nëpërmjet shtetasve të mësipërm. Biletat e udhëtimit ishin prerë nëpërmjet sistemit “online” dhe me karta bankare. Për veprimtarinë e kryer nga tetë shtetasit e arrestuar janë marrë mbi 100 kallëzime nga kompani fluturimesh, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme në qindra mijëra euro, për shkak të prerjes së biletave të udhëtimit me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara. Policia sekuestroi 5000 euro, kompjuterë desktop dhe laptop 18 cope, të cilat shërbenin për përdorimin e sistemit “online” e të tjera prova.

Operacioni “Concord”

• Zenel Buchala, 39 vjeç, banues në Tiranë

• Ken Kormani, 45 vjeç, banues në Tiranë

• Arjan Troka, 38 vjeç, banues në Tiranë

• Ilir Arapi, 45 vjeç, banues në Tiranë

• Erjon Jaupllari, 22 vjeç, banues në Tiranë

• Etleva Minxhozi, 44 vjeç, banues në Tiranë

• Elizabeta Bengasi, 26 vjeç, banuese në Tiranë

• Flora Nikaj, 33 vjeç, banues në Tiranë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›