E Shtunë, 31 Tetor 2026

Program i ri masteri në administrim biznesi

11/05/2010 Universiteti i Tiranës

Një marrëveshje e veçantë e nënshkruar pak ditë më parë nga kreu i Universitetit të Tiranës Dhori Kule me Universitetin e Uebsterit do të mundësojë krijimin e një masteri të ri ekzekutiv, “master në administrim biznesi” (MBA), që do të jetë i përbashkët ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë. Në bazë të marrëveshjes, ky program pritet të hapet brenda vitit të ardhshëm akademik. Pedagogët do të jenë të përbashkët, ndërsa diploma që do të lëshohet do të jetë e dyfishtë për të dyja universitetet. Gjithashtu marrëveshja përmban një sërë pikash të tjera bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve. Universiteti i Uebsterit është një ndër universitetet më të mëdha, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbi 100 filiale në mbarë botën, prej Gjenevës, në Tajlandë dhe Australi. Në vazhdën e kësaj vizite rektori Kule ka nënshkruar me universitetin e Gjenevës edhe një dokument tjetër të rëndësishëm, që prek Fakultetin Ekonomik, atë të Mjekësisë dhe Fakultetin e Drejtësisë. Kjo marrëveshje parashikon krijimin e frymës së bashkëpunimit jo vetëm të stafit akademik, por dhe të studentëve, duke u dhënë prioritet studentëve që studiojnë për doktoraturë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›