E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje me armë në agjencinë valutore, autorët “zhduken” me motor

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 04-05-2011 11:29

Tiranë- Dy persona të armatosur e të maskuar kanë grabitur një pikë të këmbimit valutor në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur grabitësit kanë hyrë dhunshëm në ambientet e “Exchange Goga”, kanë kërcënuar me armë punonjësit e kanë dalë që andej me 20 mijë euro dhe 7 mijë dollarë amerikanë. Menjëherë pas grabitjes, dy personat janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me ndihmën e një motori. Pak minuta pas largimit të tyre, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Policisë të Komisariatit Nr.2, të cilët nisën hetimet për zbulimin e grabitësve. Veprimi i parë hetimor ka qenë ai i marrjes në pyetje të punonjësve të exchange-it, por edhe kryerja e ekspertimeve në vendin e ngjarjes. Sipas dëshmive të punonjësve të exchange-it, por edhe të kalimtarëve të rastit, policia ka arritur të mësojë se dy grabitësit kanë qenë të moshës 20-25 vjeç dhe në kokë mbanin skafandra motori. Ata kanë qenë të armatosur me pistoletë dhe menjëherë pas grabitjes janë larguar me një motor në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sipas përshkrimit fizik të bërë nga dëshmitarët, mësohet se njëri prej grabitësve ishte i veshur me një xhup ngjyrë vishnje me viza të bardha, por, sipas tyre, nuk kanë arritur t’i dallojnë fytyrat, pasi ishin të maskuar me skafandra. “Unë isha duke kaluar në rrugë, pasi e kam shtëpinë tek ‘Pallatet Agimi’ dhe pak metra përpara meje pashë dy djem të rinj, me kokore në kokë, të cilët me një çantë në dorë dolën me shpejtësi nga exchange dhe hipën në motor. Motori mori drejtimin nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe më pas nuk i pashë më” - i tha MAPO-s një dëshmitar okular. Nga ana e tyre, efektivët e policisë kanë qëndruar për disa orë në vendin e ngjarjes, ku kanë grumbulluar të gjitha provat e mundshme në vendngjarje dhe kanë marrë në pyetje disa herë punonjësit e dyqaneve që ndodhen pranë exchange-it që u grabit. Burime pranë ekspertëve bëjnë të ditur se dyshimet kryesore bien mbi banorë të zonës ose persona që mund ta kenë vëzhguar për një kohë të gjatë këtë zyrë të këmbimit valutor dhe kanë ditur momentin kur në arkë mund të kishte shuma të mëdha parash. Të pyetur nga grupi hetimor, pronarët e kësaj agjencie këmbimi valutor kanë dhënë shifra kontradiktore, por pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se gjatë kësaj grabitje janë marrë rreth 20 mijë euro dhe 7 mijë dollarë amerikanë. Policia e Tiranës është duke vijuar punën për të dokumentuar tërësish këtë ngjarje dhe për të identifikuar e më pas arrestuar personat përgjegjës për këtë grabitje. Bankat apo agjencitë e këmbimit valutor janë bërë shpesh pre e sulmeve të grabitësve të maskuar e të armatosur e pak prej këtyre ngjarjeve janë zbardhur në të kaluarën nga policia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›