E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me armë supermarketi, dy në kërkim

Një tjetër grabitje ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, rreth orës 20:30, kur dy persona të maskuar kanë arritur të vjedhin filialin e supermarketit “Euromax”, që ndodhet në afërsi të shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Autorët dyshohet se kanë marrë një sasi prej 150 mijë lekësh të reja. Burime nga policia bëjnë të ditur se grabitësit kanë qenë dy persona të maskuar dhe të armatosur, njëri me pistoletë dhe tjetri me levë. Pasi kanë hyrë në ambientet e supermarketit, nën kërcenimin e armëve, i kanë kërkuar arkëtares që t’i japë lekët që ndodheshin në kasë. Pasi kanë marrë sasinë e parave, e cila fillimisht përllogaritet të jetë rreth 150 mijë lekë, ata janë larguar me shpejtësi në këmbë, në drejtim të “Komunës së Parisit”. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, nisi punën për identifikimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Ekspertët e policisë kanë marrë në pyetje të gjithë punonjësit e supermarketit, por edhe personat që ishin të pranishëm në ato momente, me shpresën e gjetjes së ndonjë të dhëne që do t’i çonte në identifikimin e autorëve. Nga ana tjetër, janë sekuestruar kamerat e sigurisë të supermarketit, por edhe të disa bizneseve të tjera, që ndodheshin në atë zonë, ku mendohet të jenë të regjistruara pamjet e dy grabitësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›