Lezhë, kandidatët e PS-së dhe PD-së përleshen me njëri-tjetrin
LEZHË- Një përplasje fizike është shënuar mbrëmjen e djeshme mes dy kandidatëve për kryetar komune në një fshat të Lezhës. Kur dhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 8 Majit, një tjetër incident është shënuar në komunën Blinisht, kur dy kandidatët pas sulmit të ndërsjellë kanë mbetur të dy të plagosur. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se përplasja fizike mes dy kandidatëve , atij të “Aleanca për qytetarin”, Jak Zhuba; dhe kandidatit të “Aleanca për të ardhmen”, ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme. Gjatë kësaj përplasjeje midis kandidatëve janë përfshirë edhe simpatizantët e të forcave politike. Policia e Lezhës ka konfirmuar incidentin elektoral midis përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilët kandidojnë në Komunën Blinisht. Mësohet se si Hila dhe Zhuba, të cilët kanë mbetur të lënduar, janë dërguar për mjekim në spitalin e Lezhës, ndërkohë që kandidati demokrat Jak Zhuba, pasi ka marrë mjekim e nevojshëm, është shoqëruar në komisariatin e policisë. Kandidati socialist Zef Hila bëhet e ditur se ndodhet ende në spital. Uniformat njoftojnë se edhe kandidati i PS-së do të shoqërohet në rajonin e policisë, pasi të marrë mjekimin e nevojshëm. Policia ka nisur punën për të zbardhur motivet e vërteta të përplasjes dhe për këtë arsye do të marrë edhe dëshmitë nga personat të cilët kanë marrë pjesë në përplasje, si dhe atë të dy autorëve kryesorë të saj, dëshmia e të cilëve do të zbardhë më tej ngjarjen. Ndërsa Hila ndodhej në spitalin e Lezhës, është shprehur se “ka qenë duke biseduar me banorë të zonës, pasi ishte duke zhvilluar takime elektorale shtëpi për shtëpi, duke u bërë të ditur programin që unë kam synim të vë në zbatim. Ndërsa unë isha duke biseduar, kandidati i Partisë Demokratike, Jak Zhuba, ka ardhur i shoqëruar nga pesë persona me një makinë, duke ndaluar pranë meje e ka dalë menjëherë nga makina. Sapo ata kanë dalë nga makina, shoqëruesit e Zhubës dhe ai vetë më kanë qëlluar me qyta pistolete, duke më dëmtuar në kokë e trup. Kam reaguar sigurisht, duke u vetëmbrojtur, ndërsa kam kërkuar edhe ndihmën e policisë. Me t’u përmirësuar gjendja shëndetësore, unë do i drejtohem prokurorisë për incidentin, ndërsa do i kërkoja publikisht edhe organeve të drejtësisë të reagojnë konform ligjit, për dënimin e agresorëve”. Burime nga policia e Lezhës kanë bërë të ditur se shumë shpejt ata do ta zbardhin ngjarjen, por pasi të kenë marrë edhe dëshminë e të dëmtuarit tjetër, i cili ndodhet në spital.