E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabovci ua sjell fitoren "elektricistëve"

Skenderaj, 22 gusht - Sulmuesi Berat Grabovci ia siguroi KEK-ut fitoren e parë në edicionin 2010\2011 të Raiffeisen Superligës. Grabovci shënoi golin e vetëm në ndeshjen kundër Drenicës të luajtur të shtunën në stadiumin "Bajram Aliu" në kuadër të javës së dytë të Superligës. Ai shënoi në minutën e 72-të nga afërsia pas harkimit të zëvendësuesit Florim Berbatovci.

Me këtë fitore KEK-u ngrihet në kuotën e tri pikëve, ndërsa Drenica mbetet në pikën e fituar në Mitrovicë kundër Trepçës në javën e shkuar. KEK-u në javën e parë ishte mposhtur nga Prishtina në Kastriot.

"Fitoren e arritëm në bazë të taktikës së shtruar në fushë. Drenica edhe pse më shumë posedoi topin nuk ia doli të triumfonte, pasi ne shfrytëzuam gabimet e tyre dhe arkëtuam tri pikë", tha pas ndeshjes trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari.

Drenica në pjesëlojën e parë kërcënoi me anë të Feriz Bajraktarit (38') dhe Dukagjin Gashit (42'). I pari gjuan jashtë porte nga afërsia, ndërsa i dyti nga distanca sprovoi portierin Ilir Avdyli që e dëboi topin me mund.

Skuadra e Drenicës rastin më të mirë e lëshoi në fund të takimit. Zëvendësuesi Visar Tahiraj (85') nga afërsia qëlloi traversën pas gjuajtjes së Mensur Limanit dhe topit të dëbuar nga portieri Avdyli.

"Në fillim luajtëm dobët, pastaj u kthyem në lojë por nuk ia dolëm. Gjithashtu edhe referimi ishte shumë i dobët dhe ndikoi në rezultat, pasi është dashur të akordohet penallti në rastin e Limanit. Kundërshtari na dënoi", tha trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.

KEK-u gjatë pjesëlojës së dytë pati edhe dy raste të mira me anë të Grabovcit (63', 64'), që nuk u tregua i saktë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›