Banda e Shkodrës, e para në Itali
Banda muzikore e qytetit të Shkodrës është vlerësuar me vendin e parë në edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Muzikore të zhvilluar në Gulianova të Italisë. Për tri ditë me radhë, artistët shkodranë, nën drejtimin e mjeshtrit Kujtim Alia kanë interpretuar në sheshin Buozzi të Giulianova-s para një jurie profesionale në përbërje të së cilës ishin specialistë të mirëfilltë të gjinisë së bandave muzikore, si kompozitori për banda muzikore Renato Solia, Carlo Monguzzi president i Shoqatës Kombëtare të Bandave Muzikore në Itali, Gaetano Delogu, drejtori i Orkestrës së Pragës në Çeki etj. Në vendin e dytë u rendit banda nga Skocia dhe në vendin e tretë ajo nga Polonia. Çmimi i akorduar nga Presidenti italian Napolitano, i cili është një nga 30 çmimet që ai akordon në fusha të ndryshme gjatë një viti, iu dorëzua drejtuesve të bandës së qytetit të Shkodrës nga kryetari i Bashkisë së Giulianova-s, Francesko Matromauro, këshilltari i provincës, Flaviano Montebello dhe Mauro Trapani, drejtori i RAI TRE për Abruzzo-n. Ky aktivitet ishte parashikuar që të zhvillohej në muajin prill të këtij viti, por u zhvendos për në muajin shtator për shkak të tërmeteve që ranë këtë periudhë në zonën e L‘Aquila-s në afërsi të Gulianova-s. Çmimi është një arritje në fushën e bandave muzikore, pasi në edicionin e 10 të këtij festivali merrnin pjesë përfaqësues nga shtete me traditë në fushën e muzikës si Çekia, Polonia, Hungaria, Skocia, Italia etj. Artistët shkodranë interpretuan jo vetëm të pjesë të huaja, por edhe shqiptare. Banda e qytetit të Shkodrës është themeluar që në vitin 1878 nga poeti dhe muzikanti Giovanni Canale nga Napoli.
A.Hoti
A.Hoti