E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat, sa përfitojnë policët në reformë

 

Punonjësit e policisë që humbën funksionet një vit më parë mund të përfshihen në konkurset për vende të reja pune

Ligji për gradat do të ketë efekt edhe tek 850 punonjësit e policisë, që u liruan një vit më parë nga detyra

TIRANË- Ligji për gradat e reja të punonjësve të policisë së shtetit parashikon rritje rroge dhe grade edhe për efektivët e dalë në reformë. Rreth 850 punonjës policie që dorëzuan “armët” një vit më parë, mund të kthehen sërish në radhët e policisë së shtetit, nëse do të gjenden vende të lira.Ata kanë të drejtën të marrin pjesë në konkurset që do të zhvillohen për vendet e lira në polici dhe nëse fitojnë, atëherë do të veshin sërish uniformën blu. Ndërkohë, burime nga policia thanë se policët e dalë në reformë do të kenë rritje rroge njësoj si ish-kolegët e tyre që vazhdojnë të jenë në punë. Fill pas miratimit nga Këshilli i Ministrave i projektligjit për pagat sipas gradave për punonjësit e policisë, do të përfitojnë automatikisht rreth 5 për qind rritje edhe policët e dalë në reformë.

***

Rreth një vit më parë, në kuadër të reformës lanë policinë 850 efektivë. Në urdhrin e largimit të tyre thuhej se ata do të paguheshin edhe tre vite të tjera, megjithëse nuk do të shërbenin më në policinë e shtetit dhe do të ishin pjesë e çdo ndryshimi që do të përfshijë policinë gjatë tre viteve. Kështu,vetëm një vit pas largimit të tyre, policia e shtetit pajiset me gradat të reja, ndërkohë që do të ketë edhe rritje rroge për uniformat blu. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije për “Shekullin” se nga ligji i ri përfitojnë edhe efektivët e dalë në reformë. Burime nga policia thanë se pasi këshillimi i ministrave të miratojë rritjen e pagave të policëve, automatikisht do t’u shtohet pagesa edhe policëve në reformë. Efektivët që u prekën nga“lapsi” i reformës do të paguheshin nga shteti edhe tri vite të tjera, njësoj sikur të ishin në polici. Ndaj edhe rritja e pagave sipas gradës, do të ketë efekt edhe për ta.

***

Pavarësisht se një vit më parë, të detyruar nga reforma 850 efektivë lanë detyrën, tashmë ka mundësi që një pjesë e tyre të kthehen sërish në policinë e shtetit.“Nëse ka vende bosh në polici do të zhvillohet një konkurs, ku edhe policët e dalë në reformë kanë të drejtë të konkurrojnë njësoj si policët aktualë dhe nëse ftojnë do të kthehen në radhët e uniformave blu. Por ata duhet të përmbushin kriteret për të konkurruar me qëllim që të fitojnë vendin e punës. Nëse është një vend bosh për komisar, atëherë nuk mund të konkurrojë një polic i dalë në reformë me gradën nën/inspektor. Ndërkohë, viti i reformës atyre nuk u llogaritet në vjetërsinë e punës”, -thanë për “Shekullin” burime nga policia. Të njëjtat burime thanë se nga grupi i punonjësve në reformë ka nga ata që kanë mundur të rikthehen në polici. Veç lëvizjeve që do të pësojë policia e shtetit me implementimin e gradave të reja, do të ketë edhe shtim të numrit të policëve. Zyrtarë nga policia e shtetit thanë se policët që kanë dalë në reformë do të kenë rritje grade, megjithëse nuk do të jenë në detyrë. Ata mund të rikthehen në polici, por duhet të presin shpalljen e konkurseve për vendet bosh ku kanë të drejtë të konkurrojnë. Ndërkohë që një javë më parë nisi shpërndarja e gradave të reja për punonjësit e policisë së shtetit ndërsa pritet miratimi i këshillit të ministrave për rritjen e pagave të efektivave.

850

Pavarësisht se një vit më parë, të detyruar nga reforma 850 efektivë lanë detyrën, tashmë ka mundësi që një pjesë e tyre të kthehen sërish në policinë e shtetit

5%

Fill pas miratimit nga Këshilli i Ministrave i projektligjit për pagat sipas gradave për punonjësit e policisë, do të përfitojnë automatikisht rreth 5 për qind rritje edhe policët e dalë në reformë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›