Karamanlis shmang takimin me Gruevskin në Bruksel
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka shmangur takimin me homologun e tij nga Shkupi, Nikolla Gruevski në kuadër të takimit të partive popullore evropiane sot në Bruksel.
Siç bëhet e ditur, Karamanlis ka braktisur takimin e krerëve të partive popullore evropiane 20 minuta para përfundimit të tij. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili ka bërë të ditur se ka arritur të takohet me përfaqësues të partive të rëndësishme evropiane, por që nuk ka komentuar mosrealizimin e takimit me homologun grek.
Në kuadër të Partisë Popullore Evropiane merrë pjesë edhe VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski, e cila konsiderohet si parti e djathtë. Në kuadër të kësaj partie bëjnë pjesë edhe partitë e Angela Merkel, Nikolas Sarkozy dhe Silvio Berluskoni.
Kryeministri i Greqisë Kostas Karamanlis, sipas agjensisë INA ka vazhduar axhendën e tij për të qenë i pranishëm në Samitin e shefave të vendeve anëtare të BE-së, që nisi punimet po ditën e sotme. Ky është takimi i fundit i nivelit të lartë të BE-së gjatë kohës së presidencës sllovene, e cila përfundon mandatin gjashtëmujor të udhëheqjes në fund të këtij muaji.
Presidenca e BE-së nga korriku për gjashtë muajt e ardhshëm do të drejtohet nga Franca, e cila është deklaruar hapur në mbështetje të palës greke për kontestin e emrit të Maqedonisë