E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e KLD-së, zbardhen vendimet që u morën dje



Laureta Rryçi

Tiranë - Presidenti i Republikës, njëkohësisht kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, ka kërkuar dje në mbledhjen e këtij këshilli reformë në strukturimin e Gjyqësorit. Topi ka kërkuar nga organet përkatëse që të rishihet organizimi i gjykatave, duke theksuar këtu reduktimin e numrit të gjykatave të shkallës së parë. Kreu i KLD-së ka kërkuar një formë të re organizimi për gjykatat në të gjithë vendin. “Të ngrihet sa më shpejt gjykata administrative”, - theksoi Topi, duke kërkuar stimulimin e ligjit për krijimin e këtyre gjykatave, të sapomiratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai ka shtuar se kanë kaluar afatet ligjore dhe kohore për këtë gjykatë. Ndërkohë, anëtarët e Këshillit kanë vijuar mbledhjen më tej duke marrë një sërë vendimesh mbi çështjet që ishin përfshirë në rend të ditës. Ndërsa në fund Këshilli ra dakord që shqyrtimet e kërkesave të ministrit për procedim disiplinor ndaj tetë gjyqtarëve të vazhdojnë gjatë ditës së sotme.
Deklarata
Kreu i shtetit, në të njëjtën kohë dhe drejtuesi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka bërë apel që të gjithë të ndjekin rrugët institucionale për kërkimin e së drejtës. Kryetari i KLD-së, në mbledhjen e radhës, theksoi ndër të tjera se prioritet absolut i këtij institucioni është reformimi i sistemit gjyqësor. Diskutimi mbi projekt-dekretin “Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre”, bashkoi në unanimitet absolut gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e konsideruar aprovimin e këtij akti një hap të domosdoshëm, i cili do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përshpejtimin e procedurave gjyqësore. Risi e këtij projekt-dekreti është rikrijimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, duke marrë në konsideratë faktorë si tendenca e rritjes së volumit të çështjeve gjyqësore nga ky rreth, largësia gjeografike me rrethet e tjera gjyqësore dhe numri i popullsisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë propozoi që në kompetencën territoriale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, të përfshihet edhe Bashkia e Leskovikut, për shkak të largësisë së madhe gjeografike që banorët e kësaj bashkie detyrohen të përshkruajnë, për të përmbushur nevojat e tyre gjyqësore.
Vendimet
Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dje u legjitimua nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve anëtarja më e re e tij, Lefterie Lleshi, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë. Një pikë tjetër diskutimesh në këtë mbledhje kanë qenë dhe shpallja publike e disa vendeve të reja vakante në gjykata të ndryshme. Kështu, KLD ka nisur procedurat për konkurrim mbi vende vakante për gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë, vend ky i krijuar pas largimit në Gjykatën e Lartë të gjyqtares Mirela Fana. Gjithashtu, Këshilli vendosi të zgjasë afatin zyrtar të paraqitjes së kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, edhe për një muaj, për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në zbatim të Ligjit nr. 10.039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, Neni 6, Këshilli i Lartë i Drejtësisë caktoi Neshat Fanën si përfaqësues të tij në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike. Kjo mbledhje u ndërpre për t’u vazhduar ditën e sotme, ora 13:00, me shqyrtimin e 8 procedimeve disiplinore.

Vendimet që u morën dje nga anëtarët e Këshillit

1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë propozoi që në kompetencën territoriale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, të përfshihet edhe Bashkia e Leskovikut

2. Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dje u legjitimua nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve anëtarja më e re e tij, Lefterie Lleshi, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë

3. Një pikë tjetër diskutimesh në këtë mbledhje kanë qenë dhe shpallja publike e disa vende vakante për gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vend ky i krijuar pas largimit në Gjykatën e Lartë të gjyqtares Mirela Fana

4. Këshilli vendosi të zgjasë afatin zyrtar të paraqitjes së kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, edhe për një muaj, për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Tiranë.

5. Në zbatim të Ligjit nr. 10.039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, Neni 6, Këshilli i Lartë i Drejtësisë caktoi Neshat Fanën si përfaqësues të tij në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike.

Gjatë mbledhjes së sotme

Këshilli i lartë i Drejtësisë do të shqyrtojë sot tetë propozimet e ministrit të Drejtësisë mbi procedimet disiplinore për gjyqtarët

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›