E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët, PS-ja mbledh në fundjavë Kryesinë, të hënën shpallen listat

Strukturat socialiste kanë afat deri më 15 maj të bëjnë propozimet e tyre

Shaban Sulçe
Kryesia e Partisë Socialiste do të mblidhet këtë fundjavë për të diskutuar dhe miratuar kandidaturat e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që lista zyrtare e kandidatëve të PS-së do të shpallet publikisht ditën e hënë, më datë 18 maj. Në fakt ishte parashikuar që mbledhja e Kryesisë për shqyrtimin e kandidaturave të zhvillohej gjatë ditës së djeshme, por vendimi më i fundit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste u dha më shumë kohë strukturave socialiste në bazë për diskutimin dhe propozimin e kandidaturave. Ky proces konsultimi pritet të përfundojë më 15 maj. Më pas kandidaturat e propozuara do t’i dërgohen Kryesisë qendrore të Partisë Socialiste. Kryesia do të mblidhet gjatë datave 16 dhe 17 maj për të diskutuar dhe miratuar këto kandidatura, ndërkohë që shpallja e listës zyrtare të kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhet më 18 maj, pikërisht ditën kur skadon edhe afati i vendosur në Kodin Zgjedhor për depozitimin e listës së kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhje.

Strukturat

Pak ditë më parë, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka shpallur kriteret si dhe procedurat për përzgjedhjen e emrave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas strategjisë së selisë rozë, përzgjedhja e kandidaturave potenciale të kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhet pas finalizimit të procesit konsultues me strukturat partiake të PS-së. Ky proces ka nisur më 9 maj dhe do të përfundojë në datën 15 maj. Takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale po organizohen në bazë rrethi. Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjesë delegatët e Kongresit, anëtarët e Asamblesë Kombëtare në rrethin përkatës dhe anëtarët e kryesisë së rrethit. Këto takime do të zhvillohen në drejtimin e anëtarit të kryesisë qendrore të PS-së, që është ngarkuar për qarkun përkatës. Miratimi i kandidaturave përfundimtare do të jetë një kompetencë e Kryesisë Qendrore të Partisë Socialiste. Kryesia Qendrore, pasi bën vlerësimin e listës së kandidaturave të paraqitur nga kryetari i PS-së për secilin qark mbështetur në plotësimin e kritereve për të dhënat individuale, në propozimet e strukturave të partisë dhe të organizmave të shoqërisë civile si dhe në sondazhet e kryera, miraton listat përfaqësuese përfundimtare për deputetë.

Kriteret
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar në mbledhjen më të fundit të saj parimet mbi të cilat do të bazohen kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve. Kështu, kandidaturat do të propozohen nga anëtarësia e Partisë Socialiste, nga përkrahësit e partisë si dhe nga shoqëria civile. Përzgjedhja e tyre do të bëhet sipas kompetencave statutore të organeve të partisë. Parimet e tjera ku do të mbështeten këto kritere janë garantimi i përvojës së fituar dhe ripërtëritja e Grupit Parlamentar Socialist nëpërmjet rikandidimit dhe kandidimit të figurave të reja me aftësi. Së dyti, vizion dhe përkushtim për përparimin ekonomik dhe social të vendit, së treti respektimi i të gjitha ndjeshmërive dhe diversitetit brenda qarkut, dhe së katërti respektimi i raporteve midis profesioneve, raporteve moshore, gjinore etj. Sipas këtyre parimeve, gratë dhe vajzat do të përbëjnë jo më pak se 30% të kandidaturave të listës shumemërore për deputetë, pavarësisht kërkesës ligjore të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Përzgjedhja e figurave do të bëhet mbi bazën e CV-ve, kontributit dhe angazhimit politik, formimit dhe përvojës profesionale, reputacionit dhe integritetit moral.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›