Topalli takon homologun Norvegjez, Jagland
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland. Dy krerët e parlamenteve, të Norvegjisë dhe Shqipërisë, biseduan gjerësisht për rritjen e bashkëpunimin jo vetëm parlamentar, por edhe mes dy vendeve në nivel politik dhe ekonomik. Kryetarja e Kuvendit, duke i uruar mirëseardhjen kryetarit të Parlamentit të Norvegjisë, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit norvegjez në proceset integruese të Shqipërisë, si dhe interesin për të thelluar bashkëpunimin me Norvegjinë, si dy vende partnere në NATO. Duke vlerësuar me nota shumë pozitive zhvillimet në Shqipëri, Jagland tha se ndihet i lumtur që Shqipëria ka zënë vendin që i takon në familjen euroatlantike. Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë tha se vendi i tij, një nga furnizuesit më të rëndësishëm të gazit në Europë, do të investojë 950 milionë euro në fushën e energjisë në Shqipëri. “Ky fakt, është një tregues shumë i rëndësishëm i klimës së sigurt ekonomike në Shqipëri, klimë që nxit investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik. Nuk do të investonim një shifër të tillë nëse nuk do të gjenim këtë klimë ekonomike stimuluese në Shqipëri”, - theksoi ai.
Ish-presidenti Moisiu organizon takim me liderët e Europës Juglindore
Me iniciativën e ish-presidentit Alfred Moisiu dhe në emrin e fondacionit “Moisiu”, më 15-16 maj 2009 do të organizohet në hotel “Adriatik” në Durrës një konferencë ndërkombëtare mbi sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Konferenca do të mbledhë ish-kryetarë shtetesh, politikanë të lartë, ministra dhe ish-ministra nga vende të ndryshme të rajonit dhe vende të tjera europiane. Pjesëmarrës të veçantë do të jetë zëvendëspresidenti i Bullgarisë, Angel Marin dhe Ulodzimierz Cimoszewicz, ish-kryeministër dhe disa herë ministër në Poloni, aktualisht kandidati kryesor për postin e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, si dhe Ram Manaj, zëvendëskryeministër i Kosovës. Në rang të lartë politik do të jenë të pranishëm politikanë nga Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi Serbia etj. Takimi parashikohet të përmbajë një tryezë politike me debate rreth pikëpamjeve të secilit vend rreth çështjeve të sigurisë dhe të ardhmes së rajonit të Europës Juglindore. Në seancën kryesore të konferencës do të asistojnë me praninë dhe përshëndetjen e tij edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Në vijim të aktivitetit ndërkombëtar delegacionet do të kenë rastin të zhvillojnë takime bilaterale, takime zyrtare në drejtues të rëndësishëm të shtetit shqiptar, si dhe do të jenë të ftuar të veçantë në pritjet e organizuara nga presidenti dhe kryetari i Bashkisë Durrës.
Berisha josh aleatët e rinj me poste zëvendësministrash, një muaj para zgjedhjeve
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për koalicionet zgjedhore, kryeministri Berisha bën pjesë të qeverisë së tij Partinë e Ballit Kombëtar. Berisha ka emëruar gjatë mbledhjes së djeshme në postin e zëvendësministrit të Transporteve, Adriatik Alimadhin, kryetarin e Ballit Kombëtar. Po gjatë mbledhjes së djeshme Berisha ka shkarkuar nga posti i zëvendësministrit të Integrimit ish-demokristianin Zef Bushati. Në vend të tij ka emëruar Jorida Tabakun. Zëvendësministri i Integrimit, Zef Bushati, është emëruar nga qeveria si përfaqësues diplomatik në Romë. Në këtë mënyrë kryeministri zgjeron koalicionin qeverisës edhe më partinë e Ballit Kombëtar, me të cilën ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Këto lëvizje të Berishës duken pak të papritura për shkak se në prag janë zgjedhjet elektorale. Ndryshimi i zëvendësministrave duket një formë shpërblimi që Berisha po u jep aleatëve të rinj të koalicionit të djathtë.
14 Maj 2009