Rama: “Nuk ka zgjedhje nëse nuk pajisen të gjithë votuesit me karta”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka inspektuar në terren situatën e procesit të aplikimit për pajisjen me karta identiteti. Rama ka qenë në komunën e Niklës të rrethit të Krujës, aty ku procesi i aplikimit nuk ka nisur ende. Gjatë takimit me banorët Rama është njohur me problemet që ata hasin gjatë procesit të aplikimit. Rama u ka bërë apel nga Nikla të gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos humbin durimin nga sorollatjet e qëllimshme të qeveritarëve, por të shkojnë të aplikojnë në mënyrë që të pajisen me karta dhe të votojnë për ndryshimin në Shqipëri. Kryesocialisti theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri në rast se nuk do të pajisen me karta të gjithë votuesit. “Ne do të qëndrojmë me forcë përballë kësaj tentative gjithmonë e më të qartë për të deformuar procesin zgjedhor dhe për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve, duke mos e lejuar popullin të votojë si një i tërë. Ju lutem, mos humbni durimin! Ju lutem, mos humbni dëshirën për të marrë pjesë në këtë ndryshim historik të 28 qershorit! Ju lutem, bëhuni të gjithë bashkë për t’i dhënë krahë ndryshimit të domosdoshëm që do të ndodhë, do apo nuk do Sali Berisha”, - tha Rama. Kryetari i PS-së është shprehur se PS-ja nuk do lejojë që të deformohet rezultati nga këto veprime qeveritare. “Nuk mund të ketë zgjedhje në qoftë se nuk ka të drejtë qytetari që të zgjedhë. Nuk mund të ketë zgjedhje në qoftë se qindra mijëra qytetarë e qytetare nuk kanë të drejtën për shkak se qeveria i ndalon në këtë të drejtë, duke i ndaluar të aplikojnë. Ne nuk do të lejojmë zgjedhje të cilat përjashtojnë qindra mijëra shqiptarë e shqiptare nga e drejta e votimit. Ne nuk do të tolerojmë një proces zgjedhor të manipuluar për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë, por edhe qëllimisht”, - vijoi kreu i selisë rozë. Rama është ndalur dhe në Fushë-Krujë, ku vullnetarët e PS-së kanë ngritur çadra në të cilat ofrojnë asistencë për të gjithë qytetarët, të cilët shërbimi postar i sorollat apo që nuk e kanë emrin në lista. Çadrat e vullnetarëve të PS-së janë në këtë qytet për t’i nxitur njerëzit që të aplikojnë për kartat e identitetit, por edhe për të dhënë asistencë lidhur me procedurat e pajisjes së tyre me letërnjoftimin elektronik.
14 Maj 2009