Poli i Lirisë mbështet kryetaren e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it
Përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me përfaqësues të koalicionit “Poli i lirisë”. Gjatë këtij takimi vëzhguesit kanë marrë informacion mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri. Ashtu si në takimet e tjera të këtij lloji me përfaqësues të politikës shqiptare, monitoruesit janë interesuar mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe të gjitha masat që janë marrë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kryetari Aleksandër Meksi dhe kryetarët e partive Shehi e Ndoka, kanë shprehur mbështetjen për drejtuesen e misionit, ambasadoren britanike Odrei Glover. Gjithashtu ata kanë shprehur shqetësimin për presionin që po ushtron qeveria ndaj këtij misioni.
Përsa u përket zgjedhjeve përfaqësuesit e Polit të Lirisë kanë shprehur shqetësim për procesin e ngadaltë të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Drejtuesi i Polit të Lirisë, Aleksandër Meksi ka kërkuar nga misioni garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai gjithashtu ka kërkuar që LSI-ja dhe Poli i Lirisë të kenë të drejtën e përfaqësimit në komisionet vendore zgjedhore.
14 Maj 2009