E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grafiku i ndarjes së shpërblimeve

17/12/2008  Pensionistët, përcaktohet skema e ndarjes së 5000-lekëshit të akorduar nga qeveria

Tërheqja pranë sporteleve nis pas datës 20 dhjetor sipas skemës së caktuar

Shpërblimi i akorduar edhe për këtë vit nga qeveria për pensionistët në të gjithë vendin do të ndahet sipas një grafiku të detajuar sipas datave dhe orareve të caktuara kundrejt shtresave përfituese. Kështu, pensionistët do të paraqiten pranë sporteleve në dy orare të ndryshme, një për marrjen e pensionit dhe një tjetër orar për tërheqjen e shpërblimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të publikojë brenda pak ditësh hartën e ndarjes së shpërblimeve sipas kategorive dhe afateve të tërheqjes së pagesave mujore. Kategoritë që tashmë e kanë tërhequr masën e pensionit që në ditët e para të muajit dhjetor do të kthehen sërish pranë sporteleve të postës pas datës 20 dhjetor për të marrë kësaj radhe shpërblimin e përcaktuar nga qeveria. Ndërkohë të gjithë pensionistët do të kenë më shumë se një javë kohë që të paraqiten për marrjen e bonusit të 2008-s. Në rast se nuk arrijnë të bëjnë tërheqjen e masës përfituese në afatet e përcaktuara sipas grafikut, atëherë shpërblimin do të mund ta marrin gjatë janarit të 2009-s, kur të paraqiten për të marrë pensionin mujor. Aktualisht ISSH-ja në bashkëpunim me Postën Shqiptare po merr të gjitha masat që ky shpërblim të fillojë të shpërndahet deri më datën 30 dhjetor 2008 për të gjitha rrethet e vendit.

Oraret

Konkretisht është përcaktuar që dhënia e shpërblimeve për të gjithë pensionistët që ende nuk kanë bërë tërheqjen e pensionit të këtij muaji do të marrin bashkë me këtë pagesë edhe shpërblimin deri në orën 13:00. Ndërsa pas këtij orari do të vijojë procedura e shpërndarjes së shpërblimeve për ato shtresa që i kanë tërhequr pensionet që në ditët e para të dhjetorit. Grafiku i shpërndarjes do të afishohet në të gjitha ambientet e ndarjes së pensioneve duke filluar nga data 21 dhjetor 2008, për të përfunduar më 30 dhjetor 2008. Personat që deri në këtë datë nuk do të mund të marrin shpërblimin, duhet të presin muajin pasardhës për të bërë tërheqjen.

Përfituesit

Sipas vendimit të qeverisë, edhe për këtë vit është përcaktuar që dhënia e shpërblimit të shkojë për të gjitha ato kategori që trajtohen me pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme, shpërblim si veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur nuk përfitojnë pension tjetër, trajtim të veçantë si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake. Gjithashtu po përgatiten dhe listat e emrave përfitues si dhe urdhërpagesave, që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Për të marrë shpërblimet të gjithë përfituesit duhet të respektojnë datat dhe oraret e vendosura nga Instituti i sigurimeve.

Harta e shpërndarjes

· Ditën e hënë më datë 22 dhjetor do të shpërndahet shpërblimi për ata që kanë ditën e marrjes së pensionit në këtë datë.

· Më 23 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 1, 2 dhe 3 dhjetor.

· Më 24 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 4, 5 dhe 6 dhjetor.

· Më 26 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 7, 8 dhe 9 dhjetor.

· Më 27 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 10, 11 dhe 12 dhjetor.

· Më 28 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 13 dhe 14 dhjetor.

· Më 29 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 15 dhe 16 dhjetor 17 dhjetor.

Më 30 dhjetor do të marrin shpërblimin pensionistët që kanë marrë pensionin mujor në datat 18, 19 dhe 20 dhjetor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›