E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kyçen shërbimet, mjekët hidhen në protesta

17/12/2008  Bojkotohet kryerja e vizitave mjekësore dhe e operacioneve të planifikuara

Gjatë këtyre ditëve pranë QSUT-së do të funksionojnë vetëm urgjencat

Bluzat e bardha rikthehen në protesta. Përkundrejt ngjarjes së fundit të dhunës së ushtruar ndaj endokrinologut Agron Ylli bluzat e bardha kanë vendosur që t’u drejtohen sërish protestave për të kërkuar mbrojtjen e tyre prej dhunës së ushtruar nga pacientët. Kjo do të manifestohet me ndërprerjen e ofrimit të të gjitha shërbimeve e veçanërisht të ndërhyrjeve kirurgjike në pavijonet përkatëse. Për këtë mjekët specialistë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë pohuar se duke filluar nga dita e sotme do të paralizohen për tri ditë me radhë të gjitha shërbimet që ofrohen prej tyre. Kjo do të shoqërohet jo vetëm me moskryerjen e vizitave dhe konsultave mjekësore, por gjatë kësaj periudhe nuk do të zhvillohen as operacionet e planifikuara, pavarësisht grafikut apo listave të pritjes që janë në radhë.

Protesta

Shefat e shërbimeve pohojnë se bojkoti i ofrimit të shërbimeve shëndetësore do të vijojë për aq kohë sa qeveria nuk do të dalë me masa konkrete për mbrojtjen e figurës së mjekut dhe dinjitetit të tyre. “Deri në daljen e një vendimi zyrtar kundrejt kërkesave tona me përjashtim të urgjencave nuk do të ofrohet asnjë kategori tjetër shërbimesh në pavijonet e QSUT-së”, - ka pohuar kreu i sindikatës së mjekëve dhe infermierëve të QSUT-së. Pak kohë më parë në një tjetër tubim të zhvilluar nga bluzat e bardha është cituar se “problemet dhe mangësitë e mjekësisë shqiptare nuk janë të lidhura me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve, por me një sistem shëndetësor të pareformuar, të nënfinancuar dhe të pamotivuar, çka çon në krijimin e situatave konfliktuoze”. Në lidhje me këtë ata kanë vendosur unanimisht që të fillojnë protestat masive, duke ndërprerë dhënien e shërbimeve, ndërkohë kanë kërkuar që t’i bashkëngjiten kësaj proteste të gjitha stafet mjekësore në vend. Ndërsa pak kohë më parë edhe Urdhri i Mjekut është shprehur se “bluzat e bardha në vendin tonë dhunohen dhe se janë të shumta rastet kur pacientët ushtrojnë dhunë mbi personelin shëndetësor dhe kërcënojnë jetën e tyre”.

Incidentet

Rasti i plagosjes së mjekut endokrinolog Agron Ylli në klinikën e tij private para disa ditësh shënon incidentin e tretë të dhunës që ushtrohet nga të afërmit e pacientëve ndaj shërbimeve të dhëna. Muaj më parë të njëjtin fat pësoi edhe kardiokirurgu Ali Refatllari dhe mjeku neurolog i spitalit të Vlorës Kosta Koçiu. Këto raste kanë shërbyer për grumbullimin dhe marrjen e një vendimi unanim nga stafi mjekësor për nisjen e protestave dhe braktisjen e vendeve të punës.

Incidenti në QSUT

Pak muaj më parë shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë Ali Reftallari është sulmuar me thikë pas shpine nga një i afërm i pacientit të trajtuar nga ky mjek, por që kishte humbur jetën.

Incidenti në Vlorë

Rasti tjetër i dhunës së ushtruar nga të afërmit e pacientëve kundrejt mjekëve që trajtonin familjarët e tyre është shënuar në spitalin e Vlorës kundër mjekut neurolog Kosta Koçiu.

Incidenti në privat

Brenda pak kohësh shënohet dhe një tjetër incident dhune ndaj bluzave të bardha. Kësaj radhe viktimë e plagosjes është bërë mjeku endokrinolog Agron Ylli, teksa punonte në klinikën e tij private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›