E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramoz Ruçi: Vrasja e Fatmir Xhindit, politike

Kreu i Asamblesë së PS-së ka akuzuar shtetin për fshehje të krimit. Deklarata në ceremoninë e 1-vjetorit të vdekjes

Partia Socialiste e ka cilësuar vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi si vrasje politike. Kreu i Asamblesë së PS-së, që kryeson njëkohësisht edhe grupin e deputetëve të qarkut, Gramoz Ruçi, që në momentet e para të vrasjes së Xhindit është shprehur për një vrasje të tipit mafioz me prapavijë politike. Edhe sot pas një viti, kur ngjarja në fjalë akoma nuk ka një autor, Ruçi dhe forca politike që ai përfaqëson mëshojnë në faktin e motivit politik të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“U bë një vit sot, që miku ynë, vëllai ynë, pjesëtari i familjes sonë politike, babai i fëmijëve, bashkëshorti, djali i nënës, i gjithë Fierit dhe gjithë Shqipërisë na ka lënë”, ka thënë dje Gramoz Ruçi, në ceremoninë përkujtimore të njëvjetorit të vdekjes së deputetit të selisë rozë. Në ceremoni, përveç familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëqytetarëve kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të forcës politike ku Xhindi bënte pjesë deri në momentin e fundit të jetës.

Kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, i cili kryeson edhe grupin e deputetëve në Parlament, mes fjalëve dëshpëruese ka akuzuar shtetin për fshehje të krimit. Ruçi ka thënë se PS-ja ka kërkuar nga krerët më të lartë të shtetit autorët e kësaj vrasjeje. “Pikërisht vonesa e nxjerrjes së emrit të autorit e implikon pushtetin aktual në këtë vrasje, e cila do të rëndojë te kjo qeveri e sotme”, ka vijuar më tej deklaratën e tij Ruçi. Në ceremoninë përkujtimore kanë marrë pjesë deputetët Gramoz Ruçi, Bashkim Fino, Albert çaçi dhe Arben çuko. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe krerët e PS-së qytetit dhe rrethit të Fierit, si dhe kryetarët e bashkive Fier, Patos, Roskovec e të disa bashkive të tjera në rang vendi.

Gjatë gjithë protestave të zhvilluara që pas zgjedhjeve të qershorit, PS-ja ka kërkuar zbardhjen e kësaj vrasje, ndërkohë që është deklaruar se ajo ka ndodhur për motive politike. Madje, një nga protestat më të fundit e zhvilluar në qytezën e Roskovecit, ka pasur si qëllim të saj kërkesën e zbardhjes së vrasjes së Fatmir Xhindit. Kujtojmë se deputeti tjetër i Qarkut të Fierit, Pirro Lutaj, vetëm pak javë më parë në një konferencë për shtyp iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e vrasjes. Lutaj, ashtu si edhe deputeti tjetër i Fierit, Armando Subashi, i cili prej dy ditësh është në grevë urie, edhe gjatë protestave të lokalizuara të muajit prill ka këmbëngulur për autorësinë e vrasjes. Në këndvështrimin politik, Fatmir Xhindi gëzonte një mbështetje të plotë në zonën e Roskovecit, Fierit e më gjerë. Ai jetonte në Roskovec dhe shumicën e kohës e kalonte me elektoratin e tij. Xhindi ka qenë jo vetëm deputet për tre legjislatura me radhë, por edhe kryetar në Komunën Kurjan, ku ndodhet edhe banesa e fundit e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›