Prençi: Një person i vetëm shtiu mbi Xhindin
Në daljen e parë publike pas ngjarjes, ish-kreu i Policisë shqiptare, Ahmet Prençi, deklaroi se deputeti Fatmir Xhindi ishte vrarë nga një person i vetëm. “është vërtetuar se qesja dhe pakoja e aspirinave i përkasin autorit, megjithëse ende po punojmë për mbledhjen e sa më shumë provave për të dyshuarin e ngjarjes së rëndë”, tha Prençi. Ai foli për pyetjen e mbi 30 personave që mund të kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes, por ishte i kujdesshëm për të mos nxjerrë informacione që mund të dëmtonin hetimin. “Fillimisht është nisur për në vendngjarje grupi i Krimeve të Rënda dhe është kërkuar që të merret sa më shumë informacion nga vëllai i tij, që e kishte shoqëruar në spital. Më pas, ka nisur puna, duke kryer veprimet hetimore me ekspertët mjekoligjorë dhe është siguruar vendi i ngjarjes për të bërë këqyrjen e hollësishme dhe fiksimin e çdo gjurme. Në vendngjarje kanë vazhduar veprimet deri të nesërmen”, vijoi Prençi. Sipas tij, një tabletë me aspirina dhe një qese plastike që janë gjetur në vendngjarje mendohet se janë të autorit. “Madje, në ekzekutimin e viktimës ka qenë një autor. Tashmë kemi hetuar edhe veprimtarinë ditore të deputetit, që nga momenti që ka dalë nga shtëpia deri kur është kryer ngjarja. Ka dalë nga shtëpia dhe ka vazhduar veprimtarinë private në një fshat, ku kishte disa prona. Në orën 19.20 është kthyer për në shtëpi. Ka ndaluar e qëndruar në një lokal për pak kohë. Më pas ka shkuar në shtëpi, ku porta ka qenë e hapur. Sapo ka dalë nga mjeti i tij, mbrapa kurrizit, nga pjesa e bagazhit, është qëlluar me armë automatike. Fillimisht autori ka qenë 7-8 metër larg dhe më pas është afruar me shpejtësi. Viktima ka gjashtë plumba në trup, ndërsa janë gjetur 15 gëzhoja”, deklaroi Prençi. Ndërsa në lidhje me bashkëpunëtorë të tjerë, Prençi shpjegoi se ata vetëm mund të kenë ndihmuar në largimin e ekzekutorit. Ish-drejtori i Policisë së Shtetit ka folur edhe në lidhje me sinjalizime për rrezikimin e jetës së deputetit. Ai ka shpjeguar se nuk ka pasur asnjë ankim nga ana e tij, por edhe policia nuk ka pasur asnjë informacion operativ apo nga shërbimi sekret. “Ne kemi detyrë për të mbrojtur çdo qytetar shqiptar, e për më tepër një deputet, por nuk kemi pasur asnjë informacion për rrezikun që i kanosej jetës së tij. Në këto kushte, përgjegjësia dhe puna e policisë ka nisur vetëm pasi është marrë informacioni se ai është vrarë”, është shprehur kreu i Policisë shqiptare, pasi është pyetur për përgjegjësinë e uniformave blu për parandalimin e këtij krimi. Ndërsa për pistat e hetimit, drejtori i përgjithshëm deklaroi se kanë qenë të shumta, por që me kalimin e kohës ato janë pakësuar. “Grupe të tëra pune janë marrë me mbledhje informacioni, analizim të tij, mbledhje provash shtesë, e administrim të dhënash. Në këtë punë, shumë pista, të cilat nuk mund t‘i bëj publike për shkak të hetimit, janë përjashtuar dhe ka mbetur për analizim një numër shumë i vogël i tyre. Deri tani janë marrë në pyetje 230 persona dhe puna e policisë ka përparuar. Megjithatë nuk mund të them motivin e saktë të ngjarjes, për arsye se kështu do t’i thosha autorit se unë po vij të të arrestoj”, deklaroi Ahmet Prençi, duke mos pranuar të tregojë edhe nëse deputeti Xhindi ka pasur probleme pronësie apo jo. “Nga telefonatat kemi marrë informacione të ndryshme që po i verifikojmë”, ka shtuar më tej kreu i Policisë. Kur është pyetur nëse në telefon, kundrejt shpërblimit 250 mijë euro, është dhënë një emër vrasësi, Prençi ka siguruar se, edhe nëse është dhënë, do mblidhen provat që arrestimi i tij mos të jetë i pavlerë dhe të dërgohet para drejtësisë sa më parë.
#