E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramoz, ekskursion tragjik për 15-vjeçaren

Bie nga shkëmbi, vdes gjimnazistja nga Erseka. Kishte shkuar në mal me të vëllain dhe bashkëmoshatarë të saj

Ka përfunduar tragjikisht ekskursioni në mal për një vajzë 15-vjeçare nga Erseka. Ajo është rrëzuar nga një shkëmb dhe ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Ngjarja tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në malin e Gramozit, kur një grup prej të paktën 50 gjimnazistësh dhe fëmijësh kishin shkuar të organizuar nga fondacioni edukativ “Luarasi”.

Ngjarja

15-vjeçarja Fjorela Note ka gjetur vdekjen, pasi ka rrëshqitur nga një shkëmb, në afërsi të një ujëvare. Shkëmbi është rrokullisur dhe e ka zënë vajzën nën vete, duke i shkaktuar një plagë të madhe në pjesën e gjoksit. Vajza ka rënë disa metra poshtë në humnerë dhe ka gjetur vdekjen brenda pak minutash. Fjorela Note, nxënëse e gjimnazit të qytetit të Ersekës, kishte shkuar në ekskursion bashkë me të vëllanë dhe disa gjimnazistë anëtarë të fondacionit “Luarasi”. Ndërkohë që një prej shoqeve të saj është dëmtuar lehtë në këmbë.

Sipas dëshmitarëve, fëmijët kishin ecur për të paktën tri orë deri në afërsi të kanionit ku ka ndodhur tragjedia dhe ishin shumë pranë vendit ku do të qëndronin për kamping.

Për shkak se të rinjtë kishin shkuar shumë larg, policia ka mbërritur tri orë pas njoftimit dhe kërkimet janë kryer gjatë natës për të bërë edhe tërheqjen e trupit të pajetë të viktimës. Sipas të afërmve të vajzës, por edhe shokëve të saj, nxënësit shkonin shpesh në fundjavë për ekskursione në pika të ndryshme turistike të zonës. Prindërit e vajzës e kanë pasur të pamundur ta përballojnë lajmin e hidhur, edhe për faktin se kanë insistuar që ajo të shkojë si zakonisht në mal me shoqërinë për t’u argëtuar, edhe pse vajza kishte kërkuar të qëndronte atë ditë për të mësuar. Fjorela Note, një nga nxënëset më të mira të gjimnazit të qytetit të Ersekës, është sjellë e pajetë nga mali i Gramozit, ndërsa trupi i pajetë është tërhequr nga morgu prej familjarëve. Pothuajse i gjithë qyteti i vendlindjes së saj ka qenë në zi. Përfaqësuesit e fondacionit “Luarasi” kanë qenë mjaft të tronditur nga ngjarja, pasi gjatë viteve që kanë ushtruar aktivitetin nuk kanë pasur kurrë probleme. Vajza është përcjellë për në banesën e fundit dje pasdite, mes dhimbjes dhe lotëve të të afërmve, miqve dhe bashkëmoshatarëve të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›