Petritsch: EULEKS dhe UNMIK t'i shpallë të pavlefshme zgjedhjet serbe në Kosovë
Se si i komenton zgjedhjet në Serbi dhe pjesëmarrjen e pakicës serbe në to, ambasadori austriak z. Volfgang Petritsch deklaroi për “Top Channel” se "dalja e pakicës serbe në zgjedhjet e Serbisë është më shumë se provokim, është cenim i integritetit të Republikës së Kosovës, këtë duhet ta dinë edhe UNMIK-u dhe EULEX-i në Prishtinë... Prandaj mision paqësor është nga ana e ndërkombëtarëve në Kosovë nëse ato i shpallin të pavlefshme".
Pavarësisht nga manipulimet e Beogradit me serbët e Kosovës apo vizitat e disa personaliteteve serbe në Kosovë, për fushata parazgjedhore, janë në dëm të vetë serbëve dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit, sidomos perspektivës së pakicës serbe në Kosovë, ka konstatuar z. Petritsch.
Sipas diplomatit austriak, "autoritetet serbe duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se kanë humbur Kosovën dhe tashmë duan të humbin edhe serbët e Kosovës, të dëmtojnë perspektivën e tyre. Mitrovica është Kosovë dhe fati i qytetarëve serbë në veri të Kosovës është në këtë vend, sikur edhe i bullgarëve apo minoriteteve të tjera në Serbi".
Ndërsa rreth situatës së shqiptarëve etnikë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në raport me serbët e privilegjuar në Kosovë, ambasadori Volfgang Petritsch ka deklaruar se "Serbia nëse pretendon të jetë shtet demokratik dhe ta shohë veten nesër në familjen e madhe të BE-së duhet që para se të merret me pakicat serbe jashtë vendit të vet, të preokupohet edhe me pakicat brenda Serbisë. Besoj se autoritetet serbe janë të vetëdijshme se me presionin dhe diskriminimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dëmton imazhin dhe perspektivën e Serbisë".
“Unë kam besim te Presidenti serb Tadiç, se Beogradi dhe forcat serbe në këto treva të banuara me shqiptarë të mos ushtrojnë presion të ekzagjeruar, sepse çdo shtypje apo diskriminim i tepruar mund ta çojë situatën deri te destabiliteti i rajonit”, nënvizon z. Petritsch. "Besoj se Serbia ka marrë mësim nga regjimi i mëparshëm i Beogradit me rastin e Kosovës. Mendoj se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të trajtohen ngjashëm sikur serbët në Kosovës. Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë të jenë të privilegjuar sikur serbët e Kosovës, pra të gëzojnë të drejta të njëjta. Nëse serbët e Kosovës kanë universitet apo kanë mundësi t’i gëzojnë simbolet dhe festat e veta, pse këto të mira demokratike të mos i kenë edhe shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës? Nuk mund të kërkosh diçka për dikë, atë që ia mohon tjetërkujt, këtë besoj se Beogradi e di mirë", ka pohuar ambasadori Petritsch.