E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, energji në Eurovision

Juliana Pasha interpretoi dje në finalen e Festivalit Europian të Këngës

Në shumë intervista të dhëna për mediat norvegjeze, Juliana Pasha ka deklaruar që për të, më shumë se sa fitorja e rëndësishme, është që Shqipëria të përmendej në ato tre minutat e natës finale. Për këtë ia doli mbanë, por ia doli mbanë edhe për më shumë se kaq. Performanca dhe kënga e saj elektrizoi publikun që e ndiqte nga stadiumi “Telenor Arena” në Oslo. Energjike, me zë të fuqishëm, Juliana Pasha këndoi denjësisht në skenën e Festivalit Europian të Këngës, duke bërë krenarë shumë shqiptarë që e ndoqën dhe e votuan. “It’s all about you”, titulli anglisht i këngës “Nuk mundem pa ty”, u vlerësua tepër, ashtu si edhe natën e parë gjysmëfinale, kur pati përballjen e parë me publikun. 25 vende pjesëmarrëse, prej të cilëve 5 finalistë, që ishin të kualifikuar automatikisht në festival, u ndeshën mbrëmë për trofeun e madh të Eurovision 2010. E pesëmbëdhjeta në listën e këngëtarëve që prekën skenën, e sigurt dhe mjaft e vendosur në interpretim, Juliana Pasha, e cila përfaqësoi Shqipërinë këtë vit, dhuroi shumë emocione, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut, por edhe ato që zakonisht janë më të rezervuara, të kritikës e medias. E shoqëruar me po kaq energji nga violinisti shqiptar me famë ndërkombëtar, Olen Cezari, si dhe nga tre vokalistet amerikane, Glenys Vargas e Joy nga New York City, dhe Desiree Keedjour nga çikago, fryma shqiptare u ndje në skenën e Oslos. Gjatë gjithë interpretimit të Juliana Pashës, grupe me flamuj shqiptarë në duar e shoqëronin, duke kënduar bashkë me të këngën shqiptare. Në përfundim të interpretimit, Juliana ka falënderuar publikun në gjuhën angleze. “Nuk mundem pa ty”, pas shpalljes fituese në festivalin e këngës në RTSH, është përpunuar në SHBA dhe në Angli. Ajo është një krijim i Ardit Gjebreas në bashkëpunim me Pirro çakon dhe orkestrimi mban firmën e Shpëtim Saraçit. Kënga shqiptare e Juliana Pashës është promovuar përpara fillimit të netëve të “Eurosong” në Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë dhe Holandë. Juliana Pasha e çon në shtatë numrin e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në këtë kompeticion të rëndësishëm të muzikës europiane.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›