E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi i dorëzohet edhe Besës, kriza thellohet

Nga Erseka Kristi Lilo

Kolonjarët shënojnë të parët, por më pas pësojnë dy gola. Për herë të parë trajneri Magani arrin ta mposhtë kolegun e tij Qirjako   

Gramozi – Besa 1-2

Shënues: Arapi 11 / Hasa 32, Hoxha 41

Gramozi: Bello, Caka, Mydini, Peçi, Ismolli, Çelikja, Arapi, Musabelliu (Mete 46), Çela (Cale 46), Ahmetaj (E.Mydini 46), Saliko.

Trajner: I.Qirjako.

Besa: Mançevski, Hoxha, Dragusha, Krasniqi (Tragaj 46), Fejzullahu (Dhëmbi 46), Mihani, Poçi, Frashëri, Çelhaka, Hasa (Bubeqi 61), Dushku. Trajner: G.Magani.

Gjyqtarë: L.Alla, D.Koreshi, M.Qose (Lushnjë)

Kartonë të verdhë: Caka, Peçi, Dhëmbi

Kolonjarët, edhe pse kanë pasur një mbështetje të madhe nga tifozët e tyre, pasi hyrja ka qenë falas, edhe këtë radhë nuk kanë mundur ta shmangin humbjen, e 4-ta në po kaq ndeshje të fazës së dytë dhe më e keqja është se 3 janë luajtur në Ersekë.

Gramozi, ashtu si me Elbasanin, edhe me Besën ka zhvilluar një lojë të kënaqshme, por përvoja e kundërshtarit ka qenë vendimtare. Pavarësisht humbjes, sportdashësit kolonjarë kanë duartrokitur gjatë gjithë lojës të dy ekipet dhe këtë radhë nuk kanë pasur asnjë vërejtje për gjykimin e treshes lushnjare.

Fillimi i ndeshjes është i bukur, pasi krijohen disa raste. Mesfushori Çelikja kërkon të shënojë nga distanca, por topi kalon pak mbi tra. Miqtë nga Kavaja rrezikojnë dy herë me Mihanin, që del përballë portierit Bello, që në të dy rastet grushton gjuajtjet e tij. Në minutën e 11-të Gramozin kalon në avantazh. Arapi, pasi driblon dy mbrojtës të Besës, futet në zonë dhe gjuan saktë.

Edhe pas avantazhit janë kolonjarët që i afrohen golit me Çelën dhe Salikon, por asnjëri nuk arrin ta mposhtë portierin mik. Në minutën 17-të Besa ka rastin më të mirë, ku Hasa del i vetëm përballë Bellos dhe nuk arrin të shënojë për meritë të portierit të Gramozit, që grushton. Përsëri Hasa lëshon një predhë drejt portës së Bellos, që nuk e lejon topin të përfundojë në rrjetë.

Ahmetaj dhe Saliko reagojnë dhe e vënë në vështirësi portierin Mançevski, që gjithsesi e shmang golin e dytë. Edhe Arapi  nuk arrin të shënojë, edhe pse gjendet i vetëm meportierin e kavajasve. Në minutën e 32-të vjen goli i barazimit. Hasa godet nga afër dhe 1-1. Miqtë kërkojnë edhe golin e dytë dhe e gjejnë në minutën e 41-të, me anë të Hoxhës, që shënon me kokë pas krosit të Dragushës nga një goditje dënimi.

Dy minuta më pas Ahmetaj ka rastin të barazojë, pasi del përballë portierit të kavajasve, që pret në dy kohë. Pjesa e dytë zhvillohet tepër e qetë, pa raste për shënim. Loja përqendrohet në mesfushë dhe të dy portierët janë në rolin e spektatorit. Trajneri Qirjako bën që në fillim të tri zëvendësimet, duke hedhur në fushë tre të rinj.

Për E.Mydinin ishte ndeshja në këtë kampionat, ndërsa vëllai i tij e nisi titullar. Pra, kolonjarët i janë dorëzuar edhe Besës, që pretendon superligën. Për Gramozin duhet të ndodhë ndonjë mrekulli javët e ardhshme që ta kalojë këtë krizë, që askush nuk e kishte menduar në fillim të këtij sezoni.

Të veçanta

Më së fundi, Gugash Magani, pas 7 takimesh ndaj Gramozit si trajner  i Shkumbinit, Flamurtarit dhe Besës, ka marrë fitoren e parë. Ai ka mposhtur më në fund kolegun Ilir Qirjako, i cili, tepër i mërzitur edhe këtë javë, nuk ka dashur të flasë për median.

Kryebashkiaku i Ersekës, Ali Laho, këtë takim e ka ndjekur nga shkallët e stadiumit, përballë tribunës, në mes të tifozëve, kurse nga drejtuesit e Besës nuk ishte i pranishëm askush.

Trajnerët

Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Nuk u prononcua.

Gugash Magani, trajner i Besës: Dua të them se na duheshin shumë 3 pikë për rrugën tonë drejt superligës. Nuk jam shumë i kënaqur me skuadrën dhe mund tia vë fajin pak edhe terrenit, pasi lojtarët e Besës janë mësuar të luajnë në një fushë më të mirë. Nga kolonjarët, edhe pse u mundën, kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë lojës dhe dua ti falënderoj përzemërsisht. Uroj që Gramozit të qëndrojë në kategorinë e parë. Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›