E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajësojnë shtetin

Besa e Pejës ndihet shumë e diskriminuar për faktin se sherri i Partizanit të Beogradit, ekipi U-16 i saj u përjashtua nga turneu‘Coppa Gaetano Scirea’, bashkë me ekipin tjetër shqiptar, Renovën e Maqedonisë dhe Zeljeznicarin e Bosnjës. Për këtë pejanët fajësojnë institucionet shtetërore të Kosovës, për të cilat thonë se nuk po e mbrojnë sportin e tyre nga goditjet e vazhdueshme që po ia jep Serbia.

Drejtuesit e klubit pejan, Besa, ndihen të diskriminuar për faktin se sherri i Partizanit të Beogradit iu mohua pjesëmarrja në turneun tradicional, që mbahet në Itali, ‘Coppa Gaetano Scirea’.

Në fakt, një kundërshtim i Partizanit të Beogradit kishte bërë që organizatori i ‘Coppa Gaetano Scirea’ t’i përjashtojë nga turneu dy skuadrat shqiptare, Besën U-16 dhe Renovën U-16 nga Tetova, plus klubin boshnjak Zeljeznicar.

Ky fakt i ka zhgënjyer tej mase pejanët, e posaçërisht futbollistët e rinj të tyre, të cilët tash e tre muaj ishin duke u përgatitur me entuziazëm të madh për t’u paraqitur sa më mirë në këtë eveniment, në të cilin përveç nikoqirit, Juventusit, do të garojnë edhe Interi, Roma, Lazio, etj.

“Arsye për këtë ishte lobimi i fuqishëm serb, me të cilin u dëshmua edhe njëherë se nacionalizmi i tyre vazhdon të shfaqet në të gjitha format e mundshme, duke mos kursyer mjete e qëllime, madje duke i viktimizuar në këtë rast edhe fëmijët si pasojë e politikës e cila po vazhdon të na izolojë çdo ditë e më shumë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga klubi pejan.

“Kryesia e KF Besës shpreh indinjatën e thellë lidhur me geton e radhës, e cila iu vu për të saten herë sportit të Kosovës, e në këtë rast duke mos i kursyer as fëmijët e moshës 16 vjeç, të cilët ishin duke u përgatitur që tre muaj me entuziazëm të paparë. Sigurisht që kjo do të jetë një goditje mjaft e madhe për çunat, të cilët me padurim prisnin ditën e nisjes drejt Italisë”, theksohet më tej në këtë kumtesë.

Për izolimin i cili po vazhdon ta mbajë të përthekuar sportin kosovar tash e shumë vite, pejanët pjesën më të madhe të fajit ua hedhin institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës. Sipas tyre, institucionet shtetërore po vazhdojnë ta lënë totalisht pas dore sportin kosovar, i cili realisht gjendet në situatë të rëndë në çdo aspekt.

“Është mjaft brengosëse kjo situatë, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës sporti ka mbetur në pikën zero. E gjithë kjo si pasojë e neglizhencës së legjislativit dhe ekzekutivit të vendit tonë për t’i çuar proceset përpara, për arsye se asnjëherë deri më tani as që është debatuar në Parlamentin e Kosovës për telashet nëpër të cilat kalojnë sportistët tanë. Këtë e dëshmon edhe fakti i shuarjes së rreth 100 klubeve në këto vitet e fundit”, thonë krerët e Besës nëpërmjet kësaj kumtese.

Duhet theksuar se sporti vazhdimisht po bie pre e politikës. Serbia përpos që po e pengon me të madhe Kosovën drejt ndërkombëtarizimit të sportit të saj, vazhdimisht po i pengon edhe klubet kosovare që të marrin pjesë nëpër turne të ndryshëm ndërkombëtarë.

Pra, ‘viktima’ e fundit ishte Besa e Pejës në kategorinë e të rinjve, e cila u hoq nga kalendari i garave të turneut ‘Coppa Gaetano Scirea’ me insistimin e krerëve të Partizanit të Beogradit.

Madje, serbët ia kishin dalë ta bindnin organizatorin e atij evenimenti që ta përjashtonin edhe ekipin tjetër shqiptar, Renovën nga Maqedonia, e po ashtu ekipin boshnjak Zeljeznicar.

Turneu i futbollit për të rinjtë ‘Gaetano Scirea’ filloi të luhej në vitin 1990 për nder të ish futbollistit të Juventusit, Gaetano Scirea, i cili vdiq pas një aksidenti. Ai u ndërpre për pak vite, por rifilloi sërish. Turneu organizohet nga një shoqatë kulturore dhe mbështetet nga institucionet lokale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›