Shaqiri, krenar me arritjen e Baselit

Baseli i Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës përjetoi një natë të tmerrshme të martën. Kampioni zviceran u ‘likuidua’ nga Bayern Munichu në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.
Bavarezët fituan me rezultat 7:0, duke shkrirë që në minutat e parë epërsinë e zviceranëve të siguruar nga ndeshja e parë. Shaqiri, i cili sezonin e ardhshëm do ta veshë fanellën e Bayernit, e pranon se kundërshtari ishte më i mirë dhe se shkoi në çerekfinale me meritë.
“Në fund të pjesës së parë kishim ende shpesa se mund të ktheheshim. Mirëpo, kjo mundësi nuk ekzistoi. Kur rezultati u bë 5:0, gjithçka u rrënua. Ishte një leksion të cilin na dhanë bavarezët”, deklaroi 20 vjeçari në një intervistë për Sport1. “Ata e kërkuan golin që nga minuta e parë. Atë e gjetën në minutën e dhjetë. Më pas çdo gjë funksionoi në të mirë të tyre”, shtoi ai.
Përkundër eliminimit, gjilanasi ndihet krenar me atë që bëri klubi zviceran gjatë këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, duke arritur ta eliminojë një gjigant siç është Manchester Unitedi. “Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për këtë 7:0. Bëmë një sezon të mirë në Champions. Për këtë duhet të jemi krenarë”, shtoi përfaqësuesi zviceran.
Shaqiri e pranon se ishte i lumtur që luajti në Allianz Arena, stadiumin e tij të ardhshëm, ku kishte luajtur edhe sezonin e kaluar. Ai i ka lavdëruar shokët e ardhshëm të skuadrës. “Ata e demonstruan kundër nesh që kanë një skuadër mjaft të mirë. Unë jam ende i ri dhe mund të vazhdoj të zhvillohem. Kështu që mezi pres të shkoj në Munich”, nënvizoi ai.
Shaqiri i uron suksese Bayernit këtë sezon, si në Bundesligë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. “Ata e kanë treguar forcën e tyre edhe në duel me Hoffenheimin, jo vetëm kundër nesh. Besoj shumë në ta dhe uroj vërtet që të shkojnë sa më larg në Ligën e Kampionëve. Bayerni ka potencial të arrijë deri në finale”, thotë ‘Shaq Attack’. Në fund ai e pranon se nga tash e tutje është një tifoz i Bayernit.
Paraqitje e dobët e Shaqirit dhe Xhakës
Dy shpresat e mëdha të Baselit, Xherdan Shaiqri dhe Granit Xhaka nuk kanë arritur të tregojnë lojë të mirë përballë Bayern Munchenit, i cili i përcolli ata nga Liga e Kampionëve me 7 gola.
Dyshja kosovare nuk arriti të lë asnjë gjurmë në ‘Allianz Arena’, edhe pse një gjë e tillë ishte pritur nga ta. Këtë e tregon edhe fakti se tabloidi zviceran Blick, Shaqirin e Xhakën i ka notuar me notën 2, pas paraqitjes dëshpërues që patën të martën.