E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi shtang Vllazninë, shkodranët e kanë me gjykimin

Kurbinasit bëjnë surprizën më të madhe të kupës, teksa thuajse eliminojnë shkodranët, ndërsa vetë shpresojnë te fitorja ndaj Skënderbeut

Laçi Vllaznia 1-0

Shënues: Vucaj 44 (11-m)

Laçi: Vashaku, Doku, Milenkoviç, Buljan, Xhafa (Rexha 46), Sefgjini, Nimani (Zefi 66), Vucaj, Kastrati, Emurllai, Hysa (Lloga 85). Trajner: P. Daiu.

Kartonë të verdhë: Vucaj

Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Kraja, Vuk, Popoviç (Karakaçi 77), Belisha, Moreno, Brnoviç (Hasani 52), Hajdari, Gocaj (Gjini 63), Jablan. Trajner: R. Vata.

Kartonë të verdhë: Brnoviç

Gjyqtarë: K. Meta, A. Pregja, B. Mesi (Tiranë)

 

Radiografia

3- Emurllai është i vetëm në zonë, kërkon të shënojë një gol të bukur, teksa do ti kalojë topin portierit Vujadinoviç sipër, por malazezi e kupton veprimin dhe pret topin.

37- Vucaj tenton nga 20 metra, topi i shpëton nga duart portierit të Vllaznisë, por për fatin e shkodranëve, ngjitur me shtyllën pingule jashtë.

44- Kastrati ekzekuton një goditje dënimi, topi prek dorën e Brnoviçit, që është në barrikadë brenda zonës. Gjyqtari akordon 11-metërsh, ndërsa shkodranët protestojnë gjatë. Gjuan Vucaj nga penalltia dhe 1-0 për Laçin.

72- Shmajli gjuan fort në harkun e 17-18 metrave, topi i shpëton nga duart portierit Vashaku, por në hedhjen e dytë e largon para se të kalonte vijën fatale.

Komenti

Një fitore e paparashikuar ajo e djeshmja e Laçit. Ishte menduar ndoshta një barazim, por kurrsesi tri pikë te kurbinasve përballë Vllaznisë. Kjo jo sepse Laçi nuk mund të mundë ekipin shkodran, por sepse bardhezinjtë thuajse e kanë sërish të pamundur kualifikimin për në gjysmëfinale. Atyre u duhet të fitojnë 2-0 ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fundit në grupe, një rezultat që teorikisht duket i pamundur duke parë formën e skuadrave dhe vendin ku do të luhet takimi, teksa korçarët janë pritës.

Laçianët më shumë i kanë bërë nder Flamurtarit me fitoren e tyre. Ndërsa Vllaznia thuajse është larguar nga gara e kupës, pasi vetëm fitorja me tre gola diferencë ndaj Flamurtarit në Shkodër në ndeshjen e fundit mund ta çonte në gjysmëfinale, teorikisht edhe kjo e pamundur. Gjithsesi, futbolli është i paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi edhe me ndeshjen Laçi-Vllaznia.

Pjesa e parë U duk qartë që shkodranët e kishin marrë më lehtë nga çpritej këtë takim. Me idenë se edhe barazimi u bën punë, ata kanë hyrë në fushën e lojës me mendjemadhësi. Kanë përfituar laçianët, të cilët duke parë nga mefshtësia e kuqebluve, kanë luajtur më mirë dhe kanë tentuar portën disa herë. Një pjesë e parë e mirë për vendësit, që do të konkretizohet një minutë para se të mbyllej. Një moment i diskutueshëm, që kontestohet nga miqtë. Por kurbinasit shënojnë me 11-metërsh dhe shkojnë në pushim në avantazh.

Pjesa e dytë Kur dukej se Vllaznia do të reagonte, të paktën për të shënuar golin e barazimit, Laçi dominon për të paktën edhe 20 minuta të kësaj pjese. Vllaznia zgjohet vonë, por nuk e ka forcën e duhur për të shënuar qoftë edhe një gol, që do të vlente jo pak. Minutat e fundit janë të dëshpëruara për kuqeblutë, të cilët duke kërkuar golin me insistim, gabojnë shpesh. Kështu mbyllet kjo ndeshje, me fitoren e Laçit, ndoshta surpriza më e madhe e të gjitha ndeshjeve të kupës deri tani.

Daiu: Jam i kënaqur me lojën dhe rezultatin

Ekipi në përgjithësi luajti mirë dhe e meritoi fitoren. Tek ajo fije shprese që kishim, vazhdojmë të besojmë ende, njëkohësisht jo vetëm duke ëndërruar, por duke luajtur futboll në fushë. Atë bëmë në Vlorë, atë bëmë edhe sot (dje) në Krujë. Dikush mund të thotë se ne i prishëm punë Vllaznisë. Ne do të tentojmë të fitojmë edhe ndeshjen e fundit dhe kjo do ishte përgjigjja më e mirë. Tani shohim në kampionat.

Vata: Na masakroi sërish gjykimi

Me një gjykim të tillë skandaloz kurrsesi nuk mund të fitonim. E vërtetë që nuk ka qenë një nga ndeshjet tona më të mira, por kurrsesi nuk e meritonim të humbnim. Gjyqtari nuk na linte të dilnim para, pothuaj në çdo aksion. Me të tilla ndalesa, qoftë edhe të kundërshtarit, me shkak dhe pa shkak, ishte e vështirë të shënohej. Nuk është hera e parë që masakrohemi kështu nga gjykimi, por kjo i tejkaloi të gjitha.

Klubi shkodran: Meta të mos e gjykojë kurrë më Vllazninë!

Klubi i futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij për gjykimin krejtësisht të njëanshëm të gjyqtarit Kridens Meta në takimin e sotëm Laçi-Vllaznia. Mendojmë se ky gjykim ka qenë tendencioz ndaj skuadrës sonë dhe nuk është hera e parë që ndodh kjo me këtë gjyqtar, sepse që sezonin e kaluar, klubi ynë ka depozituar një kërkesë në FSHF për të mos u gjykuar më prej tij, pikërisht pas një ndeshjeje po në Krujë ndaj nesh.

Në takimin e sotëm me Laçin ai nuk dha një 11-metërsh të pastër në favorin e skuadrës sonë. Dha një 11-metërsh të turpshëm për Laçin e, po ashtu, gjatë gjithë ndeshjes ka qenë tendencioz në gjykimin e tij. Ndoshta Meta ka shfrytëzuar faktin që ndeshja nuk jepej në TV direkt, por ne kemi pasur me vete kamerat tona dhe ditën e nesërme (të sotme), bashkë me kasetën e ndeshjes, do të dërgojmë një federatë edhe një kërkesë zyrtare që Kridens Meta të mos e gjykojë më Vllaznisë derisa të mbushë moshën për të arbitruar më.

Njëkohësisht, do të kërkojmë një dënim shembullor ndaj tij nga ana e organeve të federatës. Gjatë takimit të sotëm kemi dashur ta tërheqim skuadrën nga fusha, por ndërhyrja e delegatit Prekë Pjetrushi kanë bërë që loja të shkojë deri në fund. Ky është një turp që na bëhet. Gjyqtarët vazhdojnë të na dëmtojnë dhe askush nuk merr masa. Kështu nuk mund të vazhdohet, prandaj dhe do kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të FSHF-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›