E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramshi mbetet mace e zezë për Lushnjën

Nga Gramshi, Artan Paja

Gramshiotët kanë barazuar pa gola në fushën e tyre me lushnjarët, të cilët duket se tani duhet të mendojnë më shumë për ndeshjen shtesë

 

Gramshi Lushnja 0-0

Gramshi: Lo.Koçi, Su.Kaloshi, Kote, Çekrezi, Sa.Kaloshi, Trashi, Duka (F.Çekrezi 65), Myftaraj (Lezi 54), Marishta (Koni 54), Pengu, Le.Koçi.  Trajner: E.Mustafaraj.

Lushnja: Bejte, E.Sula, Xhafa, Dhima, Hasalla (Metushi 60), Gjoni, Topi, R.Sula, Çela (Allkanjari 75), Canka, Sefa. Trajner: S.Malko.

Gjyqtarë: S.Çekaj (Laç), M.Dervishi, M.Qeseri (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Duka, Dhima

Karton i kuq: Dhima

Pa dyshim që ndeshja midis Gramshit dhe Lushnjës ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë në kategorinë e parë. Loja ka qenë në nivel maksimal nga të dyja skuadrat, por, për fat të keq, asnjëra prej tyre nuk shënoi. Lushnja kishte ardhur për 3 pikët në këtë transfertë, por skuadra gramshiote, e drejtuar nga trajneri Mustafaraj, ka ditur ta ndalë, duke u identifikuar me plot gojë si ”mace e zezë” për të. Prej tri sezonesh radhazi Gramshi i prish ëndrrën e superligës Lushnjës.

Ndeshja është dominuar në më të shumtën e kohës nga vendësit, por në 10 minutat e fundit Lushnja ka humbur disa raste për shënim. Loja do të merrte tjetër rrjedhë, nëse kapiteni Çekrezi do të kishte shënuar me një goditje të rrufeshme, që është ndalur nga portieri Bejte me majat e gishtave. Miqtë kanë rrezikuar seriozisht me anë të Cankës, por topi ka dalë jashtë.

Më pas është Gramshi që kundërsulmon me Trashin, por sërish rrjeta e Lushnjës mbetet e paprekshme. Në pjesën e dytë gramshiotët shfaqen më të tërhequr, duke u tkurrur në brendësi të zonës dhe Renato Sula del i zbuluar. Ai dërgon një top të saktë për Sefën, por ky i fundit shpërdoron, duke e nxjerrë topin jashtë. Lushnjarët duket se miqtë janë të vendosur në misionin e tyre, teksa edhe pas daljes më karton të kuq të Dhimës ushtrojnë presion.

Ata krijojnë raste gjatë intervalit të 10 minutave të fundit. Por, edhe pas tri goditjesh dënimi dhe dy goditjesh këndi, miqtë kanë ndeshur në një rezistencë të pazakontë nga gramshiotët. Kështu, Gramshi është rikthyer te rezultatet pozitive, në prani të një numri të lartë spektatorësh, ku nuk munguan edhe ultrasit myzeqarë. Në fund, pas vërshëllimës së fundit, policia ka neutralizuar një incident midis trajnerit të dytë të Lushnjës, Artan Çukos, dhe kryesorit Sokol Çekaj. Gjithçka ka përfunduar qetë.

Trajnerët

Edmond Mustafaraj, trajner i Gramshit: Realisht, ne vinim pas dy humbjesh dhe tri barazimesh, ndaj motivimi ynë ishte maksimal. Ishte një ndeshje mjaft e vështirë për Gramshin, por falë dyshes Çekrezi-Trashi, loja mori një rrjedhë të qetë. Lushnja është një skuadër që mbart vlera. Më vjen keq që të dyja skuadrat nuk mundën ta gjenin rrugën e rrjetës. Kolegut Malko i uroj suksese në ndeshjet e ardhshme.

Saimir Malko, trajner i Lushnjës: Nuk u prononcua.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›