Gramozi, në kërkim të një sulmuesi, në portë pritet ardhja e Nuredinit
Kolonjarët hyjnë në merkato në kërkim të njeriut gol, ndërsa për portën pritet rikthimi i një emri të njohur në skuadër, kuçovarit Ervin Nuredini
Nga : KRISTI LILO
Gramozi duket se e ka marrë shumë seriozisht fillimin e fazës përgatitore. Kjo, pasi ata po kërkojnë të bëjnë përforcime në të gjitha repartet. Ambicia për të formuar një grup konkurrent për këtë sezon dhe të ngjitet në Kategorinë e Parë, i shtyn drejtuesit kolonjarë, të bëjnë disa sakrifica në këtë merkato transferimesh. Për këtë arsye, kjo e fundit, është mënyra më e mirë për të arritur objektivin, por po të shohësh kontingjentin e skuadrës, duke shtuar këtu edhe afrimet e fundit, reparti që ka më shumë nevojë për përforcim është ai i sulmit. Kjo pasi mungon njeriu gol, i cili edhe në sezonin e kaluar ka qenë pika e dobët e Gramozit. Mbrojtja dhe mesfusha duken të kompletuara, edhe pse nga stafi teknik kërkohet dhe një lojtar tjetër në repartin e prapavijës, për të pasur më tepër alternativa. Çështja e katërkëndëshit kolonjar mund të quhet e mbyllur, pasi në ekip janë dy portierë vendas në provë dhe pritet që sot ti bashkohet grupit dhe portieri Ervin Nuredini, i cili nuk është një emër i panjohur për tifozët e qytetit të Ersekës, pasi ka luajtur edhe në sezonin, që skuadra juglindore ka marrë pjesë në Superligë.
