Çmimi i naftës, Obama: “Do të diskutoj me mbretin e Arabisë”
Presidenti Obama bën të ditur se do të zhvillohen bisedime për çmimet e naftës me mbretin e Arabisë Saudite Abdullah në takimin që do të zhvillohet javën e ardhshme. Zoti Obama tha se nuk është në interes të Arabisë Saudite krijimi i një situate në të cilën ekonomia amerikane të varet së tepërmi ose të goditet vazhdimisht nga rritje të mëdha dhe të menjëhershme të çmimeve të energjisë.
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite duhet të marrin masa për të pakësuar varësinë nga nafta me qëllim që të rigjallërojnë ekonomitë e tyre dhe të ulin kërcënimet ndaj mjedisit. Presidenti amerikan i bëri komentet për gazetarët pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin palestinez Mahmud Abas. Ai do të shkojë në Riad më 3 qershor.
Koreja e Veriut do të lëshojë raketë tjetër, SHBA-të revoltohen
Koreja e Veriut po bëhet gati të lëshojë edhe një raketë me rreze të gjatë veprimi. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia koreano-jugore “Yonhap”, që citon burime të qeverise së Seulit. Raketa besohet të jetë varianti i modifikuar i Taepodong-2, që mund të arrijë deri në Havai dhe Alaska. Në fillim të javës, Koreja e Veriut kreu një provë bërthamore dhe testoi disa raketa, që shkaktuan reagim të gjerë ndërkombëtar, ndërsa OKB-ja vendosi ndëshkimin me sanksione. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë një Kore Veriore të armatosur me armë bërthamore. Gjatë takimit që pati në Singapor me ministra aziatikë të mbrojtjes, zoti Gejts tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq ndërkohë që Koreja e Veriut shton aftësitë e saj për të sjellë shkatërrim ndaj ndonjë objektivi në Azi ose në Shtetet e Bashkuara.
Pakistan, ushtria rivendos kontrollin në Mingora
Ushtria pakistaneze njoftoi se ka rimarrë kontrollin në qytetin më të madh në luginën Suat. Qendra e Mingoras ndodhet nën kontrollin e ushtrisë, edhe pse në periferi vazhdojnë luftimet. Ato u intensifikuan një javë më parë, ndërsa ushtria forcoi praninë në qytet, duke nisur kërkimet shtëpi me shtëpi për militantet talebanë. Gazetarët janë ndaluar të hyjnë në zonë dhe është e vështirë të verifikohen deklaratat e ushtrisë. Qindra vetë mbetën të vrarë dhe më shumë se 1 milion janë larguar nga lugina Suat, që pas nisjes së operacionit kundër talebanëve.Një muaj më parë ushtria pakistaneze nisi ofensivën e madhe në Luginën Suat dhe në zonat përreth për të dëbuar prej andej militantët talebanë që i kishin vendosur nën kontroll. Kur ata hynë në Mingora, njoftohet se forcat ushtarake u përfshinë në luftime trup me trup me talebanët.
1 Qershor 2009