“Mirëserdhe Gramoz!”
Gramozi në Kategorinë Superiore. Në “qiellin e shtatë”. Midis 12 më të mirëve të Shqipërisë. Në të njëjtin kompeticion me Tiranën, kampionen në fuqi e rekordmenen e Shqipërisë. Në garë me Dinamon e Vllazninë. Me skuadrat që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Një arritje historike e një ekipi të një qyteti të vogël, por që ndër vite ka ëndërruar për të qenë pjesë e futbollit të madh. Të paktën atij shqiptar. Mirëserdhe Gramoz!
E realizuar në harkun e 12 muajve, historia e Gramozit përbën një rekord më vete. Gati unikal. Statistikat të ofrojnë një panoramë respekti për skuadrën e financuar nga kompania lider e karburanteve, “Taçi Oil”, e njëjta që solli për të dytin vit rresht në harkun e shtatë muajve legjendën Milan në Shqipëri.
Në fundmajin e vitit të kaluar skuadra kolonjare u ngjit në Kategorinë e Parë, duke mbërritur si kampione e Kategorisë së Dytë, pasi mposhti në finale nga gjuajtjet e penalltive Tërbunin e Pukës, duke dhënë sinjalet e para të një skuadre që synoi haptazi objektivin e madh, ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Në fundmajin e këtij viti, skuadra e Ilir Qirjakos, e katërta më e mirë e Kategorisë së Parë, dhuroi spektakël në impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa”, duke shkatërruar pas kohës shtesë 5-2 Bylisin e Kategorisë Superiore, në një nga ndeshjet më emocionuese të play-out të këtij sezoni të stërzgjatur.
Shtatë gola, një penallti të parealizuar nga bashlliotët, por dhe një të anuluar me pa të drejtë për Gramozin nga anësori Pjetrushi, edhe pse kryesori Ervis Peza e kishte dhënë atë më parë, pikërisht në minutën e 90-të të kohës së rregullt e kur rezultati ishte i barabartë 2-2, prodhuan emocion e krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme në stadiumin, ku vetëm shtatë ditë më pas Shqipëria e “erës Kuzhe” do të përballet me Portugalinë e Kristiano Ronaldos.
Gramozi u shfaq me tërë potencialin e një fuqie të re në futbollin tonë, me një virtuozitet në versionin “samba”, falë katërshes braziliane Marko Dos Santos, Jurandier Oliveira, Leonard Martins e Da Silva. Por dhe forcës së kapitenit Hyserion Shupes, sigurisë në portë të Ervin Nuredinit e
barrikadës së Evis Peçit, grintës së Ardit Shaqirit, fantazisë së Erion Islamit.
“Mirëserdhe Gramoz!”
Marko Dos Santos, “Këpuca e artë”
Sulmuesi i Gramozit, Marko Dos Santos, fitoi “Këpucën e artë” të Kategorisë së Parë. Bomberi brazilian realizoi 18 gola në 29 ndeshjet e aktivizuara, duke lënë dukshëm pas golashënuesin afrikan të Kastriotit, Xhanuari Ziambo, 14 gola. Dos Santos, një sulmues i shpejtë e me një nuhatje të rrallë goli, mund të shndërrohet një garues i fortë për “Këpucën e artë” të Superligës.
E pabesueshme, çfarë rokade!
Nuk kishte ndodhur kurrë që të binin direkt e pas ndeshjeve të play-out njëherësh katër skuadra nga Kategoria Superiore. Për më tepër që në gjirin e tyre ishin edhe dy skuadra me tituj kampionë si Partizani (15) dhe Elbasani (2). Lushnja e Bylis kompletuan katërshen e rrëzuar nga Superliga, për t’u bërë vend Laçit, Skënderbeut, Kastriotit e Gramozit.
Derbi i prefekturës Korçë
Edhe pse një Gramozi-Tirana apo Gramozi-Dinamo do të mbetet përjetësisht në statistikat e futbollit të Kategorisë Superiore, ai derbi i nxehtë, ai i përjetshmi, pa dyshim që do të jetë Gramozi-Skënderbeu. Një përballje e trefishtë midis dy skuadrave fqinje, që premton spektakël në fushë dhe adrenalinë të lartë në shkallët e tribunat e stadiumeve respektive.
KATEGORIA SUPERIORE
SEZONI 2009-2010
Ekipet pjesëmarrëse
1. Tirana
2. Vllaznia
3. Dinamo
4. Shkumbini
5. Teuta
6. Flamurtari
7. Besa
8. Apolonia
9. Laçi
10. Skënderbeu
11. Gramozi
12. Kastrioti
Verdiktet e sezonit 2008-2009
KATEGORIA SUPERIORE
Kampione
Tirana
Kupa e Shqipërisë
Flamurtari
Ngjiten në Superligë
Laçi, Skënderbeu, Gramozi,
Kastrioti
Bien nga Kategoria
Elbasani, Lushnja, Partizani, Bylisi
KAMPIONËT E SHQIPËRISË
Kategoria Superiore
Tirana
Kategoria e Parë
Laçi
Kategoria e Dytë
Memaliaj
KATEGORIA E PARË
RENDITJA PËRFUNDIMTARE
1. Laçi 68
2. Skënderbeu 65
3. Kastrioti 63
4. Gramozi 54
5. Burreli 47
6. Dajti 44
7. Turbina 41
8. Ada 38
9. Luftëtari 37
10. Besëlidhja 37
11. Sopoti 37
12. Skrapari 35
13. Pogradeci 34
14. Bilisht S. 28
15. Tërbuni 27
16. Naftëtari 20
1 Qershor 2009