E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, femrat kërkojnë ndryshimin e ligjit diskriminues



Blerina Olldashi
Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen në fillim të nëntorit. Lajmi u bë i ditur nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi i cili i dha fund dilemave për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
“Muaji nëntor është muaji më i përshtatshëm dhe i përgjigjet edhe kërkesave ligjore. Ky ka qenë muaji i zgjedhjeve dhe nuk ka pasur kurrë probleme”,- shprehet Krasniqi. Përveç Partisë Socialdemokrate të Kosovës, të gjitha partitë e tjera opozitare nuk pajtohen që zgjedhjet të mbahen në muajin nëntor. Ndërkohë gratë deputete të Kuvendit të Kosovës, para shpalljes së datës së zgjedhjeve Lokale kanë kërkuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, duke dashur që në to, të mos votohet një subjekt dhe një kandidat, por një subjekt e 6 kandidatë. Ligji për Zgjedhje parasheh pjesëmarrje të grave 30 për qind, ndërsa Ligji për Barazi Gjinore 40 për qind. Flora Brovina, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se Ligji për Zgjedhje edhe pse garanton pjesëmarrje dhe përfaqësim në Parlament, nuk korrespondon me Ligjin për Barazi Gjinore. “Neni 27 i Ligjit thotë se çdo e treta është grua. Ne nuk mund të imponojmë votuesin që gjithsesi të votojë për gratë, por ia japim sugjerimin dhe në bazë të ligjit dhe fushatës që do të bëjmë, që ata mund të zgjedhin edhe ndonjë grua. Këtu është në pyetje edhe motivi për të dalë në zgjedhje, për t’u kandiduar; nëse ne marrim vota, marrim edhe detyrime”,- thotë Brovina. Sanije Aliaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pohon se gratë në Kosovë kanë mbetur në hijen e një përkufizimi të padrejtë dhe, sipas saj, u nevojitet më tepër mbështetje dhe hapësirë. Në mënyrë që Ligji për Zgjedhjet në Kosovë të bëhet më funksional dhe demokratik, ajo thotë se duhet të ndryshohet pjesa ku drejtpërdrejt ka të bëjë me pjesëmarrjen e grave. “Së paku t’u jepet mundësia që me votën e merituar, të shkojnë femrat në Parlament, e jo vetëm të plotësojnë kriterin e kuotës. Pra, është një shans shumë i mirë që përveç politikës së orientuar, elektorati të ketë mundësi të zgjedhë edhe femra, të cilat e meritojnë”,- shprehet Aliaj. Të njëjtin shqetësim shpreh edhe Donika Kadaj Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila thotë se është koha që gratë të mos jenë vetëm pjesë e kuotave, kur, siç thotë ajo, ato kanë mundësi të marrin vota të drejtpërdrejta dhe të jenë të përfaqësuara në Kuvend. “Ajo çfarë kërkojmë është që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të hapur për të bërë përzgjedhjen e tyre, qoftë meshkuj, qoftë femra. Konsiderojmë se duke iu dhënë mundësia që të mos përkufizohen në një, të kenë hapësirë për gjashtë persona dhe duke konsideruar se shoqëria jonë përbën 50 për qind të popullsisë femra, do të kemi shanse të barabarta në garë dhe do të votohen edhe femrat në mesin e gjashtë kandidatëve”,- thotë Kadaj Bujupi. Ligji për Zgjedhjet ka qenë në mesin e ligjeve që burojnë nga dokumenti i Marti Ahtisarit. Miratimi i tyre në Kuvend, pa shqyrtim, ka anashkaluar të gjitha procedurat, me të cilat punon Kuvendi, por kjo ishte bërë me pajtueshmëri të plotë nga i gjithë spektri politik i Kosovës.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›