E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me kashtë dhe raketa



Enton BIDO

Ishte një njeri, Beni i Mjekrës i thërrisnin, se i kish humbur mbiemri për shkak të leshit të saj. Këtë të fundit e kishte aq të gjatë, sa hasmët e tij uronin që t’i ngatërrohej me atë më poshtë.
Ky na e mori inat një tjetër djalë të katundit, Bushin.
Ky tjatri qe pa mjekër, ecte me këmbë të hapura, tamam fshatar. Dhe e shihje të ngrysur këtë Bushin, si t’ia kishte ngrënë gomari rrushin. Por, do pyesni ju, se nuk mund të rrini pa pyetur, pse u mëritën këta me each-other, siç i thonë në inglisht, njëri me tjatrin?
Ky Bushi kishte marrë qereste borxh te Beni i Lajdes dhe kishte ngritur dy kulla kashte Një ta parë Beni dhe iu frynë fufat, domethënë i hipi gjaku në kokë. Dhe, thuaji gjakut të zbriste, po ku hante pyka ay.
Zuzari, tha me duf, ia tregoj unë atij! Dashka që me mall borxh të ngrejë dy kasolle opingash për tregti. Me mua do të barabitet ay?! Unë ia dhashë për shtëpi, të fusë kokën., zotnia e tij dashkërka të hahet me mua!
Hë, harrova t’ju thosha - mendje është e shkreta, - Beni i Lajdes ishte tregtar e jo llafe, jo tregtaruc a opingaxhi, siç donte të bëhej Bushi. E kësisoj, tregtari i mallit të vrerosur mori tri letra format. Me to ndërtoi tri raketa me nga një shkrepse në bisht. Pasandaj, një t’i ndezur shkrepset (nuk ishin nga të fabrikës Llapshim) dhe i lëshoi raketat drejt Kullave Opingare Tregtare (KOT).
Njëra nga këto raketat doli huq e, në vend që të godiste shënjestrën, pra KOT-in, vajti e ra mu te mullari i Fizëve, fis trazovaç ky. Shyqyr Zotit që djemtë e Fizëve patën shkuar të tërë në kurbet, ndërsa motër Shega kishte dalë në çetë, se sherri do ndizej më keq se mullari.
Vërtet pati thënur ajo gruaja, Budja, që kullat e barit nuk do të digjen, mirëpo nuk i doli e thëna, ia pat futur katundit. Ato dy raketat e tjera, ama, na e bënë shkrumb e hi KOT-in.
Ndokush do të pyesë: Si ka mundësi që nuk u shuan shkrepëset gjatë fluturimit raketor? Por këtë unë nuk e di, se nuk isha aty. Pyesni më mirë Benin.
Ndaj, thonë mirë ato llafet e urta laosiane : «Njeriu që ka tahma, humbet edhe atë që ka.» dhe « Borxhi ta ha kokën, por më parë të çjerr brekët.»
Ju, mbase, do të pyesni sërish: A mori hak Bushi?
E para, ai e ndërtoi prapë KOT-in. Se ku i gjeti paratë për qereste tjetër, nuk dihet. E treta (se e dyta u zhduk gjatë trazirave), thonë se, më vonë, u nis një mëngjes të mëngjesuar për hakmarrje. Qysh atëherë as është kthyer, as habere nga ai nuk ka.
ǒt’ju dëftoj më?! Kjo qe e gjitha. (Për të dhëna më të plota, mund të drejtoheni në qendrën e informimit të KOT-it.)

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›